Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje në Tiranë, kur një 42-vjeçar ka shkaktuar panik në ambientet e QSUT dhe më pas në rrugët e kryeqytetit.

Sipas policisë, burri ka qëlluar me një pistoletë lodër drejt një mjekeje brenda në spital dhe më pas është larguar me makinë duke refuzuar të ndalojë.

Në tentativë për t’i shpëtuar ndjekjes nga policia, ai ka përplasur tre automjete të efektivëve të qarkullimit rrugor, duke rrezikuar jetën e tyre dhe qytetarëve të tjerë.

Pas një ndjekjeje intensive, policia arriti ta ndalojë dhe ta vërë në pranga. Dy punonjës policie kanë mbetur të lënduar lehtë gjatë incidentit.

Policia po heton për të zbuluar motivet pas veprimeve të 42-vjeçarit.

Rrezikoi jetën e punonjësve të Policisë, pasi përplasi 3 automjetet e tyre, me automjetin që drejtonte, gjatë tentativës për t’u larguar nga ambientet e QSUT, pasi kishte qëlluar me pistoletë lodër, një mjeke, kapet 42-vjeçari.

Sekuestrohet sendi me të cilin qëlloi 42-vjeçari.

Rreth orës 09:00, shtetasi E. V., 42 vjeç, dyshohet me probleme të shëndetit mendor, ka qëlluar me pistoletë lodër (me gogla), në drejtim të gjymtyrëve të poshtme, një mjeke të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dhe ka tentuar të largohet me automjet nga ambientet e kësaj qendre.

Menjëherë pas marrjes dijeni, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje këtij shtetasi, kanë mundur ta kapin dhe kanë kryer shoqërimin e tij, në ambientet e Policisë, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Gjatë tentativës për t’u larguar, 42-vjeçari ka përplasur me automjetin që drejtonte, 3 automjete policie. Nga përplasjet u dëmtuan lehtë 2 punonjës policie të qarkullimit rrugor.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, vijon punën për dokumentimin e rrethanave të rastit”-njofton policia.