Plagosi me thikë një shtetas gjatë një konflikti për motive të dobëta, falë reagimit të shpejtë të Policisë, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen “Barrikadë” një shtetas ishte plagosur me mjet prerës (thikë), shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar të plagosjes, shtetasit A. T., 39 vjeç, banues në Berat.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Barrikadë”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin D. N., 48 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
