Është bërë publike fotoja e 21-vjeçarit Daniel Pepa, i dyshuar për vrasjen e Florian Paluçit në Manëz të Durrësit një ditë më parë.

Sipas hetimeve, vrasja ndodhi pas një konflikti të mëparshëm mes Daniel Pepës dhe kamarierit Alteo Pepa për një ekspres, në të cilin u përfshinë dhe Florian Paluçi dhe shoku i tij Erald Cani.

Pas debatit, 21-vjeçari ka lënë lokalin dhe është kthyer më vonë i shoqëruar nga Aranit Kurti dhe Ergi Kadiu. Ata kanë tentuar të hyjnë në lokal, ku Flori ka qëlluar me armë në tokë, ndërsa Danieli ka reaguar duke e qëlluar Flori në drejtim, duke e lënë të plagosur. Mes tyre ka pasur përleshje fizike dhe më pas, në kundërpërgjigje, Flori ka qëlluar Aranit Kurtin, i cili ka humbur jetën. Pasi ka marrë plagë të rënda nga plumbat, Florian Paluçi ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë zbuluar se Daniel Pepa ishte shoqëruar nga 30-vjeçari Gezim Allçi, i cili po ashtu është i armatosur. Të dy janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe janë shpallur në kërkim për vrasjen dhe armëmbajtje pa leje.

Po ashtu, policia ka arrestuar katër persona të tjerë, të cilët ishin shokë të autorëve dhe akuzohen për moskallëzim krimi, pasi nuk njoftuan policinë pas vrasjes. Ata janë: Erald Cani, Ergi Kadiu dhe vëllezërit Taulant dhe Emirjan Beqaj. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e të dyshuarve në kërkim.