Një qendër fizioterapie në Tiranë është zbuluar se përdorej si ambient për ushtrim prostitucioni, pas një hetimi të zhvilluar nga policia.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, finalizuan një hetim 3-mujor, duke çuar në arrestimin në flagrancë të pronares së subjektit, një 40-vjeçare me inicialet B. G. Ajo akuzohet për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Ndërkohë, një grua 41-vjeçare është proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni”, pasi dyshohet se ushtrohej në ambientet e kësaj qendre.
Ngjarja është konstatuar në një subjekt që ushtronte aktivitet si qendër fizioterapie, i vendosur në rrugën “Ismail Qemali” në Tiranë, ku sipas hetimeve, zhvillohej edhe aktiviteti i paligjshëm.
Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi një shumë parash që dyshohet se ishte përfituar nga kjo veprimtari.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e hetimeve dhe procedurave të mëtejshme.
