“Exclusive” ka sjellë rrëfime të pazbuluara më parë të fëmijëve që ranë pre e rekrutimit të ekstremistëve të Xhihadit, pas ndikimit nga prindërit e tyre.
Abdi, djali i cili ishte vetëm 8 vjeç kur u dërgua në Siri nga prindërit, ka rrëfyer detajet ekskluzive për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha.
Si kreu i seksionit Kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në SPAK, prokurori Vladimir Mara, i cili bashkëvepron me prokurorët pranon vëmendjen e shtuar të agjencive shqiptare dhe të huaja.
“Ka patur propogandë në rrjetet sociale, por edhe ndikim të jashtëzakonshëm nga imamë të vetëshpallur të cilët kanë ushtruar aktivitetin jo vetëm në republikën e Shqipërisë por edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut duke i çuar këta persona drejt radikalizmit dhe për qasje të ndryshme nga ajo e fesë zyrtare. Ata janë rekrutuar nga imamët dhe më pas kanë shtuar pjesëmarrjen duke shpërndarë propagandën duke bërë të mundur radikalizmin deri në përkrahjen e organizatave në lindjen e mesme“, tha ai.
Me përpjekjen që e panë si Xhihadi i tyre 144 shqiptarë udhëtuan drejt Sirisë përfshi bashkëshortet dhe fëmijët, për një luftë e cila rezultoi se ishte bashkim me ISIS. E shpallur organizatë terroriste, ISIS-i pati fillimet si një grupim rebel kundër regjimit të Bashar Al Asad.
“Mbaj mend që babi im luftonte kundër Kurdëve dhe nga ata u vra dhe më pas ne ishim në dorë të tyre. Ai ka pas luftuar edhe kundër Asadit. Mami thjesht qëndronte me ne në shtëpi, kur shkon i vogël, qoftë i vogël qoftë o rritur, do mësohet dhe si bën më përshtypje, kur bombardojnë të kap një moment frika.
Dhjetë vjet qëndrova në Siri, ika 8 vjeç dhe u ktheva 16 vjeç, kam parë masakra që nuk janë parë nga një fëmijë në atë moshë. Njëherë kam qenë në xhami dhe kishim afër një makinë, edhe e bombardoi avioni dhe madje shumë njerëz u plagosën se ishin afër me xhaminë dhe duhej të ikje, një nga rastet. Nuk kam marrë pjesë në luftime, isha i vogël. Lufta fillonte në orën gjashtë.
Fillonin bombardimet nga ora gjashtë deri në gjashtë të mëngjesit. Ata bombardonin gjuanin dhe ti duhet të tërhiqeshe avash avash dhe s’ke ku vete më te ata, ata bënë marrëveshje, nëse doni hajdeni po nuk deshët do vriteni aty”, tha Abdi.
“Unë bashkë me ekipin tim kemi trajtuar 28 fëmijë gjithsej, nga këto 28 fëmijë një pjesë e tyre kishin lindur në Siri. Ndryshimi midis atyre që kishin lindur në Siri dhe atyre në Shqipëri kishte një lloj diferencimi sepse thuajse ishte shumë e vështirë për ata që kishin lindur këtu dhe ishin më të rritur dhe kishin përjetuar traumat dhe luftën në përgjithësi, ndërsa ata që kishin lindur aty ishin shumë më të vegjël më i vogli 1-2 vjeç”, tha Mehmet Durishti, ish-drejtor i Qendrës Pritëse për të Kthyerit nga Siria.
“Të gjithë fëmijët që kanë një prind të burgosur ose që e kanë humbur janë fëmijë që janë edukuar se ai ka shkuar pranë Zotit, ke fëmijë që mund të rrinë në pritje dhe pikëpyetje, sepse ato mund të jenë në burg por mund të kenë ndërruar jetë mund të jenë vrarë, ato dinë vetëm informacionin e fundit, nuk ekziston një lidhje telefonike apo me anë të postës. Ka shoqata që lidhin njerëzit që janë atje me ata që janë këtu”, u shpreh Anxhela Peza-psikologe.
