Mbledhja e djeshme e Komisionit Hetimor për Sterilizimin ka shkaktuar tensione të forta në Kuvend, duke u bërë temë kryesore edhe në seancën plenare. Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili mori pjesë në mbledhjen e komisionit për të dhënë dëshminë e tij, u përfshi në një debat të ashpër me deputetët e opozitës, duke ngritur akuza dhe tensione të mëdha.

Deputetja demokrate, Ina Zhupa, e cila mori fjalën për këtë ngjarje, denoncoi kërcënimet që, sipas saj, Beqja u kishte bërë deputetëve të opozitës gjatë mbledhjes. Ajo gjithashtu theksoi se Policia e Burgjeve dhe Garda e Republikës nuk kishin zbatuar protokollin, duke lejuar ish-ministrin të hyjë në sallë pa leje dhe të merrte pjesë në mbledhjen, pavarësisht se ai nuk ishte i autorizuar të ndodhej aty.

Në kundërpërgjigje, deputeti socialist Toni Gogu e hodhi poshtë akuzën tërësisht dhe argumentoi se Partia Demokratike (PD) ishte ajo që e kishte penguar Beqjan të jepte dëshminë e tij, pasi kishte frikë ta dëgjonte. Ai shtoi se PD-ja po përpiqej të pengonte procesin e hetimit, duke ngritur alibira dhe duke përdorur taktika të njohura për të minuar punën e komisioneve hetimore.

Gogu: E mirëkuptoj tërësisht tolerancën tuaj për ti dhënë kohë opozitës zonja kryetare. Nëse je i interesuar për të vërtetën dëgjo dëshmitarët dhe mos i lër 48 orë në Kuvend dhe mos u tremb nga Power Point. Mos u trembni. Sa i përket pretendimit që konferenca e kryetarëve na paska vendosur gabim, ndërkohë që kërkesës së Komisionit i mungonit të gjitha kërkesat formale, komisionet janë autonome. Kur komisionet nuk vendosin, vendos seanca. Në rastin konkret nuk kishte vendim nga Komisioni, por kërkesë të 7 deputetëve. Ju jeni të interesuar për audiencë politike, jo për të vërtetën. Dëshmitarin kryesor nuk e dëgjoni se keni frikë, por kërkoni dëshmitarë ekstra.

Ina Zhupa: Parlamenti ka rënë, deputetët e opozitës janë kërcënuar ndërkohë që po kryenin funksionet parlamentare. Asnjë dëshmitarë edhe i lirë qoftë ai nuk lejohet të hyjë në sallën që zhvillohet mbledhjet pa e thirrur kryetarja e komisionit. Keni 100 gardistë që nuk lejohen të hyjnë as deputetët pa leje. Policia dhe gardistët nuk e ndalonin dot Ilir Beqajn se duke qenë dy metra dhe shoku i Ramës e ngatërruan me Ramën dhe nuk e ndaluan. Beqaj livadhiste i lirë dhe i jepte urdhëra gardës dhe deputetëve të mazhorancës se çfarë do bënin dhe si do ia bënin.

Na bën edhe status për kushte çnjerëzore, çfarë kushtet i keni krijuar atje në burg që i dukej Kuvendi ç’njerëzor.  Vinte dhe kërcënonte me ‘mbylle gojën; qepe ti; ta tregojë unë ty; kush je ti?’. Duhet të vazhdojmë parlamentin pasi ne nuk kemi siguri në parlament.

Me këtë logjikë zonja kryetare, ju sot nuk keni moral të bëni këtë seancë plenare, duhet ju si kryetare të kërkoni vënien para përgjegjësive të policëve të burgjeve.

E dini ça na tha polici? ‘S’ka furgon këtu, skam ku ta çoj, s’kam mjetet e duhura’. Ishim në mëshirë të hajdutit dy metra. Unë kam telefonuar komandantin e gardës për të sjellë një gardist atje. Vetëm një kishin lënë dhe erdhi pasi u bë sherri dhe pasi ishim kërcënuar. Ne do të hetojmë doni apo s’doni. Ne nuk na kërcënon dot Rama jo më Beqaj. Ne na keni përballë dhe në betejë, nuk bëjmë asnjë hap pas.