Në mbyllje të vitit 2025 qeveria ka rikthyer edhe njëherë vëmendjen drejt bujqësisë. Në ndryshimet e fundit në buxhet nëpërmjet një Akti Normativ 2 mld lekë do të alokohen për këtë sektor. Pa reformat e nevojshme por me fonde të pjesshme, ekspertët e konsiderojnë një shpërndarje të tillë të pamjaftueshme.

“Fonde të tilla janë të nevojshme por janë të pamjaftueshme, për arsye sepse nuk shkojnë aty ku duhet të jenë të lidhura me zinxhirin e produktivitetit, të zinxhirit të qarkullimit dhe të nevojave që ka në treg. Duhet të vijnë në mënyrë të tillë në atë fazë dhe në atë kohë që të japin dhe efektin. Ngelin më shumë në aspektin e një ndihme sociale se sa zhvillimore”, u shpreh eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj.

Në total këtë vit fermerët kanë përfituar 6.4 miliard lekë, krahasuar me 5.3 miliard lekë që ishin një vit më parë. Por një vlerë e tillë për ekspertët e tregut nuk zgjidh sfidat dhe problemet e sektorit.

“Në momentin që jepen me alokime janë si subvencione që nuk ndikojnë në zgjidhjen e problemit të bujqësisë dhe nga ana tjetër e dobësojnë atë produktivitetin e bilancit të shtetit që i cili në vetvete duhet të jetë i parashikueshëm dhe i monitorueshëm. Në fund të ditës këto fonde i shërbejnë politikës së ditës, dhe jo në funksionin zhvillimor që kërkon bujqësia”, tha Gjokutaj.

Shumë prej 2 mld lekësh do të shpërndahet për bujqit nëpërmjet skemave mbështetëse./ Top Channel