Hyn në fuqi vendimi për rritjen e pagesës, përjashtohen personat që nuk flasin dhe dëgjojnë


Lorina Mixha


Qendra e Publikimeve Zyrtare ka botuar tre vendime në të cilat njofton hyrjen në fuqi të rritjes së pagesave për  personat me aftësi të kufizuar. Sipas ndryshimit të ligjit, këtë vit rritja e përfitimeve do të jetë vetëm me 2 për qind, sa indeksimi i inflacionit. Janë përjashtuar nga rritja e pagesës, edhe pse e vogël, personat që nuk flasin dhe nuk dëgjojnë.


Këshilli Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuar ka shprehur shqetësimin e përbashkët të gjithë organizmave kombëtare të personave me aftësi të kufizuar dhe mbështetjen e plotë për zgjidhjen e problemeve të njerëzve që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin në Shqipëri.


Përjashtimi


Sot, personat që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin janë të diskriminuar pasi janë të përjashtuar nga çdo lloj përfitimi social-ekonomik të bazuar në nevojat dhe pasojat që krijon kufizimi i tyre.


Këshilli Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuar prej vitesh ka insistuar për një trajtim të barabartë të këtij grupi, si dhe përfshirjen e tyre në ligjin për ndihmën dhe shërbimet shoqërore.


“Mospërfshirja në udhëzimin e përbashkët të Ministrisë së Punës dhe Ministrisë së Shëndetësisë përbën në thelb një diskutim të hapur për personat që nuk dëgjojnë. Këshilli Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuar mbështet fuqimisht përpjekjet e ANAD për të pasur një ligj të posaçëm për mbrojtjen e të drejtave specifike për njerëzit që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin”, sqaron Këshilli Kombëtar i Invalidëve.


Pagesat


Sipas udhëzimit të Ministrisë së Punës, masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar, është 9 500 (nëntë mijë e pesëqind) lekë në muaj për personat e përcaktuar në pikën 1 të vendimit. Të njëjtën masë përfiton edhe kujdestari i personit me aftësi të kufizuar.


Masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar, e përcaktuar në pikën 8, është 9 500 (nëntë mijë e pesëqind) lekë në muaj për personat e përcaktuar në pikën 2 të vendimit dhe 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj për kujdestari.


Efektet financiare, për zbatimin e këtij udhëzimi, fillojnë nga 1 shtatori i vitit 2012 dhe përballohen me fondet e akorduara për vitin 2012 për Ministrinë e Punës.


Masa e përfitimit për shkak të verbërisë, e përcaktuar në pikën 4 të vendimit të Këshillit të Ministrave është 10 850 (dhjetë mijë e tetëqind e pesëdhjetë) lekë në muaj. Të njëjtën masë përfiton edhe kujdestari i të verbrit.


Masa e përfitimit për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë të përcaktuar në pikën 4 të vendimit është 9 500 (nëntë mijë e pesëqind) lekë në muaj.


Masa e përfitimit për kujdestarin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik është 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj.


Efektet financiare, për zbatimin e këtij udhëzimi, fillojnë nga 1 shtatori i vitit 2012 dhe përballohen me fondet e akorduara për Ministrinë e Punës.


 


Debati


Mospërfshirja në udhëzimin e përbashkët të Ministrisë së Punës dhe Ministrisë së Shëndetësisë përbën në thelb një diskutim të hapur për personat që nuk flasin dhe nuk dëgjojnë


 


Kërkesa


Këshilli Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuar prej vitesh ka insistuar për një trajtim të barabartë të këtij grupi, si dhe përfshirjen e tyre në ligjin për ndihmën dhe shërbimet shoqërore