Qeveria e re “Rama 4” ka krijuar shumë diskutime pas zgjedhjeve të ministrave të rinj nga kryeministri i vendit. Në lidhje me zhvillimet politike ka folur gazetari Adriatik Doçi në Top News, në emisionin “Breaking ” ku theksoi se zgjedhja e kryeministrit për grupin e tij ishte për të dhënë tre mesazhe.

Gjithashtu ai shtoise krijimi i “Diellës” është vetëm për të shkaktuar diskutim dhe debat publik, gjë e cila u arrit.

“Kryeministri Rama nëpërmjet zgjedhjes së grupit të tij qeverisës dha tre mesazhe.

Mesazhi i parë ishte konfirmimi i qeverisë së kaluar, me ata që konsiderohen më të besuarit, ndërsa si një formë kamuflimi u përfshinë disa emra të rinj, si ai në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme. Megjithatë, nuk pati ndonjë risi të vërtetë në përbërje.

Mesazhi i dytë i drejtohej SPAK-ut, i shoqëruar me një distancim të moderuar nga Erion Veliaj. Kjo u reflektua në mënyrën se si u trajtua dhe përmendja e tij.

Mesazhi i tretë kishte për qëllim krijimin e debatit dhe diskutimeve, dhe kjo u arrit përmes përfshirjes së personazhit të Diellës. Ky veprim ishte i pahijshëm, as kushtetues dhe as i mbështetur në ndonjë akt nënligjor, pasi Kushtetuta njeh vetëm individë si persona fizikë. Megjithatë, përmes këtij veprimi u hap një debat publik që ka tërhequr edhe vëmendjen e disa mediave të huaja, ndonëse mendohet se nuk do të ketë ndonjë zhvillim konkret.”, tha gazetari.