Partia Demokratike ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama për shkelje të Kodit Zgjedhor në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, duke e cilësuar si një veprim të paligjshëm dhe në dëm të barazisë në garë.

Sipas PD-së, firmosja e një amnistie të gjerë e gjobave për faturat e papaguara nga kryeministri përbën përpjekje për të ndikuar te votuesit dhe për të përdorur shtetin në funksion të partisë. Ata i krahasuan veprimet e tanishme me praktikat e mëparshme, si dhënia e bonusit për pensionistët në prag zgjedhjesh, dhe kritikuan mosreagimin e institucioneve si KQZ, SPAK dhe Prokuroria.

PD theksoi se amnistia është pjesë e programit të saj, por vetëm për shtresat në nevojë dhe jo në shkelje të ligjit. Deklarata përfundon duke akuzuar Edi Ramën për mashtrim publik dhe shpërfillje të standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve.

Qeveria shqiptare miratoi ditën e sotme një vendim që fal një sërë gjobash dhe masash administrative të vendosura ndër vite ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Vendimi, i miratuar këtë të premte parashikon shfuqizimin e të gjitha masave administrative të paekzekutuara që janë vendosur gjatë periudhës 1 janar 2015 deri më 30 nëntor 2024.

Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë:

Në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe të barazisë në garë, në ditën e fundit të fushatës, Kryeministri në ikje ka firmosur një amnisti të gjerë, duke shkelur arbitrarisht, në mënyrën më anti-europiane të mundshme, ligjin dhe rregullat e garës.

I njëjti që i terrorizoi për 12 vjet me taksa, gjoba dhe përndjekje, tani bën si i mëshirshëm. Nuk ka asnjë pikë dhembshurie në zemrën e tij, por vetëm oreks për të prishur garën, për të ndryshuar vullnetin e zgjedhësve, për të bërë hile, duke përdorur makinerinë e shtetit në ndihmë të partisë.

Ka bërë të njëjtën gjë para dy vjetësh kur, në mes të fushatës, u dha bonus 670 mijë pensionistëve. KQZ në atë rast bëri një interpretim lukashenkian, duke thënë se, në zgjedhje lokale i lejohej, por jo në të përgjithshme. Tani ligji shkelet në zgjedhje të përgjithshme.

Çfarë ka për të thënë z. Celibashi?!

Po SPAK dhe Prokuroria, që kanë ngritur task-forca për manipulimin e zgjedhjeve, çfarë kanë për të thënë për këtë megashkelje?

Partia Demokratike e ka në programin e saj elektoral amnistinë e gjobave dhe të faturave të papaguara, por për shtresat në nevojë, për të pamundurit, jo për abuzuesit.

Premtimi ynë qëndron, por asnjëherë në shkelje të ligjit, dhe në prishje të barazisë në zgjedhje.

Me këtë veprim Edi Rama shpërfill hapur rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe rezolutën e PPE, e cila e kushtëzon integrimin e vendit me respektimin e ligjeve dhe rregullave të demokracisë.

Edi Rama është një gjobvënës: që nga 20 përqindëshi i lejeve si kryebashkiak, dhe deri te qindra milionat e incineratorëve. Me paraqitjen e rrejshme si gjobëfalës në vitin e 12-të të pushtetit, nuk gënjen askënd.