Qeveria shqiptare ka vendosur krijimin e një regjistri të posaçëm elektronik për personat e referuar në Prokurori ose nën hetim për vepra penale të lidhura me dhunën gjatë protestave, grumbullimeve dhe manifestimeve publike.
Vendimi parashikon gjithashtu mundësinë e refuzimit administrativ të daljes nga Shqipëria, si dhe njoftimin e strukturave akomoduese private për personat që plotësojnë kriteret e përcaktuara.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, regjistri do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe do të përmbajë të dhënat e personave të identifikuar në materialet e referuara nga policia në Prokurori, për të cilët dokumentohen veprime konkrete të dhunshme.
