Këshilli i Ministrave ka miratuar dy vendime që synojnë forcimin e mbështetjes financiare dhe sociale për efektivët e Policisë së Shtetit që humbin jetën ose plagosen gjatë ushtrimit të detyrës, si edhe për familjet e tyre.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë. Ai sqaroi se vendimet përcaktojnë rregullat dhe procedurat për përfitimet financiare, si dhe masat mbështetëse që do të zbatohen në këto raste.
Sipas Lamallarit, familjet e punonjësve të policisë që humbin jetën në krye të detyrës do të marrin një ndihmë të menjëhershme financiare, e cila mund të arrijë deri në vlerën e 10 pagave mujore. Përveç kësaj, ato do të përfitojnë pension familjar, bursa të plota për arsimimin e fëmijëve, mundësi punësimi për familjarët, si dhe strehim pa pagesë.
Ministri theksoi se banesat do të sigurohen si nga fondi i Entit Kombëtar të Banesave, ashtu edhe nga pasuritë e konfiskuara në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar.
Një tjetër aspekt i vendimeve të miratuara lidhet me trajtimin e efektivëve që plagosen gjatë shërbimit. Lamallari bëri të ditur se edhe ata do të përfitojnë shpërblim financiar, sipas kritereve të përcaktuara në aktet e miratuara nga qeveria.
“Janë miratuar dy vendime të rëndësishme që përcaktojnë masën, procedurat dhe rregullat për trajtimin financiar të familjeve të punonjësve të policisë që humbin jetën në krye të detyrës, si dhe shpërblimin për efektivët që plagosen gjatë ushtrimit të detyrës. Paketa përfshin ndihmë të menjëhershme deri në 10 paga mujore, pension familjar, bursa të plota për fëmijët, punësim për familjarët dhe banesa falas nga Enti Kombëtar i Banesave apo nga pasuritë e konfiskuara nga krimi i organizuar”, deklaroi ministri i Brendshëm.
