Këshilli i Ministrave ka miratuar më 2 tetor projektligjin “Për Tregjet e Kripto-Aseteve”, një nismë e hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), që synon të vendosë rregulla të qarta për aktivitetin e këtij tregu në Shqipëri.

Projektligji parashikon përafrimin e kuadrit ligjor shqiptar me Rregulloren e Bashkimit Evropian 2023/1114, e njohur si MiCA, duke përcaktuar standarde për emetimin dhe tregtimin e kripto-aseteve, si dhe për ofrimin e shërbimeve të lidhura me to.

Në fokus janë edhe platformat e tregtimit, ruajtja dhe këmbimi i kripto-aseteve, ndërsa operatorëve do t’u kërkohet të përmbushin një sërë kriteresh në lidhje me kapitalin, qeverisjen dhe menaxhimin e konflikteve të interesit.

Një tjetër element i rëndësishëm i projektligjit lidhet me mbrojtjen e investitorëve dhe rritjen e transparencës në treg. Kuadri i ri përfshin masa për sigurinë kibernetike, parandalimin e abuzimit me tregun dhe luftën kundër pastrimit të parave.

Legjislacioni parashikon gjithashtu një trajtim të diferencuar për kategoritë e ndryshme të kripto-aseteve, duke marrë në konsideratë karakteristikat dhe rreziqet që lidhen me secilën prej tyre.

Sipas projektligjit, synimi është që aktiviteti i operatorëve të kripto-aseteve në vend të zhvillohet brenda një sistemi të përcaktuar qartë dhe në përputhje me standardet rregullatore të Bashkimit Evropian.