Kreu i Financave: Punoi dobët, do ta kontrollojmë ne sistemin. Braçe: U menaxhua politikisht


Dosjet për gjyqin e madh të arbitrazhit janë duke u përgatitur për të qenë gati në nisjen e procesit. Të dyja palët, shteti shqiptar dhe kompania “CEZ Group” deklarojnë se janë dëmtuar financiarisht nga veprimet dhe mosveprimet në respekt të ligjit, duke pretenduar humbje të konsiderueshme financiare. Ministria e Ekonomisë thotë se problemet me CEZ-in kishin nisur më herët, por nuk mund të ndërmerrej hapi i dërgimit të çështjes në arbitrazh, duke u dhënë kohë në përmirësimin e situatës, e cila fatkeqësisht shkoi për keq. METE dhe ERE, dy institucionet që përfaqësojnë shtetin shqiptar, thonë se mbështeten nga zyra kompetente avokatore, të kontraktuara nga Ministria e Drejtësisë dhe se do të kërkojnë dëmshpërblim që arrin në dhjetëra miliardë lekë.


Sakaq, ministri i Financave, Ridvan Bode, pranon se kriza ka ardhur si rezultat i keqmenaxhimit të kompanisë nga çekët dhe se qeveria kur të marrë kontrollin, do ta drejtojë më mirë, madje premton rritje të investimeve.


Aktualisht, qeveria shqiptare po shpenzon mbi 7 miliardë lekë për të blerë energji elektrike nga jashtë, përmes KESH-it, detyrim ky që i takonte CEZ-it me ligj. Në muajin mars të këtij viti, KESH mori 2 miliardë lekë të tjera nga buxheti për të shlyer një pjesë të borxheve ndaj importuesve dhe për të blerë energji, ndërsa nga ana tjetër, korporata ankohet se CEZ i ka të paktën 15 miliardë lekë borxh për energjinë elektrike të furnizuar. Edhe CEZ duket se po e plotëson mirë dosjen me fakte kundër palës shqiptare. Veprimi i nxitur i qeverisë shqiptare për të pushtuar nënstacionet e CEZ-it me forca policie në rastin e kufizimit me rrymë të ujësjellësve do të përdoret si gur i fortë nga kompania çeke. Mësohet se CEZ do të kërkojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit një dëmshpërblim të paktën katërfishin e vlerës së kontratës për blerjen e aksioneve, për të mos thënë edhe gjysmë miliard euro. Shteti fajëson CEZ se nuk punoi për të përmirësuar humbjet në rrjet dhe arkëtimet, kurse kompania ia vë përgjegjësinë qeverisë, e cila me vendimet e njëpasnjëshme nuk e lejoi të investonte dhe nuk pranoi të rriste çmimin e dritave në vitin 2011, kur u hodh si propozim.


Në dukje paraqitet si raport tejet konfliktual, por ekspertë brenda kampit të opozitës, mendojnë të kundërtën. Deputeti socialist Erjon Braçe deklaron se shkaku i krizës së thellë energjetike që po përjeton Shqipëria është menaxhimi politik i sektorit, që nisi në vitin 2008, kur u privatizua kompania e shpërndarjes. “U shit pasuria më e madhe e shqiptarëve me letra të bardha pa kushte që janë të tilla, të bardha edhe pas katër vitesh në zyrat e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë apo në Fletoren Zyrtare dhe u shit me qëllime politike po prapë te një kompani shtetërore çeke që ishte presidentja e radhës e Bashkimit Europian”, u shpreh Brace. Zoti Braçe akuzon se menaxhimi politik i sektorit u thellua në vitin 2009 me zgjerimin e koalicionit qeverisës, që sipas tij solli administrimin për interesa politike të kompanive publike KESH dhe OST. “Ashtu siç, në mënyrën më të keqe të mundshme ndryshoi karakteri i Entit Rregullator të Energjisë, duke u kthyer në një ent mirëfilli politik që u nda me përqindje mes dy partive që sot qeverisin, PD dhe LSI-së. Ka qenë një dëm kolosal, sepse vendimmarrja e tillë ka kushtuar jashtë mase mbi qytetarët e Shqipërisë, thjesht në përmbushje të interesave qeveritare në raport me kompaninë CEZ”, theksoi Braçe. Në vitin 2008, përpara privatizimit të shpërndarjes, enti dhe qeveria përcaktuan një model sipas të cilit do të funksiononte tregu energjetik. Që prej disa muajsh, modeli është shndërruar gati në një skemë piramidale. KESH është e detyruar të prodhojë dhe blejë energji për të furnizuar CEZ-in, e cila arkëton para nga faturat e konsumatorëve, por nuk paguan mbrapsht. Kostoja mbi qytetarët bie dyfish. “Qytetarët shqiptarë janë të vetmit në botë që paguajnë dy herë energjinë elektrike. Një herë paguajnë kur paguajnë faturën e energjisë elektrike, kur ju shkon në shtëpi, 200 për qind më shtrenjtë se në 2005-n dhe herën e dytë paguajnë përmes buxhetit të Shtetit”, tha Braçe.


A.Kola


 


“Qytetarët shqiptarë janë të vetmit në botë që paguajnë dy herë energjinë elektrike. Një herë kur paguajnë faturën dhe herën e dytë, paguajnë përmes buxhetit”