Qendra Historike e fshatit Dhërmi është shpallur zyrtarisht pasuri kulturore e paluajtshme, ndërsa është përcaktuar edhe zona e saj mbrojtëse, me vendim të miratuar nga Qeveria në mbledhjen e sotme.

Vendimi është propozuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe mbështetet në ligjin “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”. Sipas autoriteteve, masa synon ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave historike, kulturore dhe arkitektonike të zonës së Dhërmiut.

Në të njëjtën kohë, është miratuar edhe plani për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e Qendrës Historike dhe zonës përreth saj, dokument që do të shërbejë si bazë për menaxhimin dhe zhvillimin e kësaj pasurie kulturore.

Vendimi parashikon publikimin e hartave përkatëse në Gjeoportalin Kombëtar, ndërsa Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të kryejë regjistrimin e zonës së mbrojtur.

Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Bashkia Himarë.