Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar bujën mediatike që krijoi këngëtarja Parashqevi Simaku pas një ngjarjeje të fundit. Ai theksoi se mediat janë fokusuar shumë në një “njeri fatkeq”, duke u përpjekur të krijonin një klimë të ndjeshmërisë për të, ndërkohë që, sipas tij, problemet më të mëdha shëndetësore dhe sociale në Shqipëri kalojnë pa u vënë re.

Berisha theksoi se Shqipëria, për shkak të situatës aktuale, ngjan me shoqëritë e përshkruara nga Gabriel García Márquez në romanet e tij, ku diktaturat e bandave dhe ato të drogës përshkruhen si një dukuri e thellë dhe të dëmshme për shoqërinë. Ai ftoi ata që kanë lexuar romanet e Márquezit të bëjnë një krahasim mes përshkrimit të diktaturave në libra dhe situatës aktuale në Shqipëri.

Në një deklaratë të tij, Berisha ngriti një pyetje të drejtpërdrejtë për mediat: “Keni parë tituj për simotrat e Parashqevi Simakut që janë larguar nga jeta për shkak të mungesës së trajtimit të duhur të kancerit të gjirit? Pse kjo nuk ka marrë asnjë vëmendje nga mediat?” Ai kritikoi sistemin shëndetësor dhe theksoi se shumë gra humbasin jetën për shkak të mungesës së aparaturave dhe trajtimit të duhur.

Berisha: Cilido që ka lexuar romanet e Garsia Markezit, e ftoj të bëjë krahasimin të atyre që ka lexuar atëherë me Shqipërinë e këtyre ditëve, në një episodi fatkeq të një njeriu fatkeq. Se si ato shoqëri, pse e them këtë, se ai përshkruan diktaturat e bandave, diktatura të drogës janë ato të Markezit, se si ngjasojmë ne me shoqërinë e përshkruar nga Garsia Markez.

Ndodhi një rast dhe ka një javë që qindra mijëra tituj, Eureka-Eureka-Eureka, për një njeri që ka qenë këngëtare e shquar, por njeri fatkeq.

Ndërkohë 600 simotra të saj janë përcjellë në atë botë sepse aparaturat nuk punonin për të mjekuar kancerin e gjirit. Liheshin pa mjekim. Keni parë tituj për këto?