Popullsia e ishullit pritet të vuajë shumë vite vështirësi ekonomike të konsiderueshme


QiproQipro arriti një marrëveshje të minutës së fundit me kreditorët ndërkombëtarë dhe pranoi të mbyllë bankën e dytë më të madhe të vendit, si dhe të konfiskojë një pjesë të konsiderueshme të depozitave mbi 100 mijë euro në këtë bankë, përfshirë depozitat e shumë rusëve të pasur, në këmbim të 10 miliardë eurove kredi të buta nga Bashkimi Europian dhe FMN. Marrëveshja u arrit vetëm pak orë para një afati final të vendosur nga Banka Qendrore Europiane për dërgimin e financimeve urgjente në bankat e ishullit.


Megjithëse falimenti i drejtpërdrejtë u shmang, ekspertët raportojnë se Qipro është e dënuar për shumë vite vuajtje ekonomike, recesion të shpejtë dhe mungesë kreditimi.


Plani i shpëtimit nënkupton mbylljen e bankës Laiki dhe zhvendosjen e depozitave nën 100 mijë euro të saj te Banka e Qipros, e cila do të funksionojë si një bankë e shëndetshme. Depozitat mbi 100 mijë euro në të dyja bankat, të cilat nuk janë të garantuara sipas ligjit europian, do të ngrihen dhe do të përdoren për të shlyer borxhet e Laikit, si dhe për të rikapitalizuar Bankën e Qipros përmes një skeme të shkëmbimit të depozitave me aksione te banka. Sulmi mbi depozituesit e Laikit pritet të krijojë 4.2 miliardë euro taksa. Laiki do të mbyllet përfundimisht dhe mijëra vende pune do të humben. Mbajtësit e bondeve të Laikit përfundimisht humbën paratë e veta, ndërsa ato të Bankës së Qipros do të humbasin një pjesë të parave.


Vlerësohet se depozituesit e mëdhenj do të humbasin rreth 30 për qind të parave të veta. Gjermania e përshëndeti marrëveshjen e arritur duke thënë se kushtet e saj qenë plotësuar. Rusia, nga ana e saj, e konsideroi marrëveshjen “një vjedhje”. Depozituesit e saj janë më të shumtët që dolën të humbur.


Tashmë frika është se edhe depozitat e vogla do të tërhiqen nga bankat e Qipros, pasi ato të hapen për biznes, sepse njerëzit nuk kanë arsye të mbajnë paratë në banka që sapo kanë falimentuar. Por qeveria e Qipros ka marrë fuqinë për të vendosur kontroll kapitali, gjë që do të thotë se edhe për disa kohë, depozitat e të huajve vështirë se do të mund të tërhiqen nga ishulli. Edhe biznesi më i madh i ishullit, paratë përgjithësisht të pista të Europës Lindore, duket se do të përfundojë. Me mijëra vende pune pritet të humben dhe ekonomia e ishullit pritet të pësojë një recesion me përmasat e recesionit grek.


Ministri i Financave i Francës, Pierre Moscovici, hodhi poshtë akuzat se BE-ja e ka rrënuar Qipron duke thënë se në fakt është modeli i biznesit të ishullit si një parajsë fiskale ai që ka dështuar.


“Për të gjithë ata që thonë se ne po mbysim një popull të tërë… unë them se Qipro është një ekonomi kazinoje që qe sakaq në prag falimenti”, tha ai.


Bursat u forcuan gjatë ditës së djeshme bashkë me euron pas arritjes së marrëveshjes.