Një ngjarje tragjike ka tronditur lagjen Itterbeek në Anderlecht të dielën në mbrëmje, kur një 61-vjeçar shqiptar, i identifikuar me inicialet N.M., pronar i kafenesë së njohur lokale “Maison Haute”, u qëllua për vdekje nga qiraxhiu i tij.
Sipas dëshmitarëve, rreth orës 20:30 u dëgjuan të paktën katër të shtëna, ndërsa viktima, edhe pse u dërgua me urgjencë në spital, nuk arriti të mbijetojë plagëve të marra. Policia konfirmoi arrestimin e autorit të dyshuar dhe izoloi zonën për hetime.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitet. “Vetëm dje pimë një gotë bashkë. Ishte njeri i mrekullueshëm, gjithmonë i gatshëm të ndihmonte. E kisha paralajmëruar se qiraxhiu i tij do të sillte telashe… dhe ja ku jemi sot,” rrëfen me lot në sy Michèle, një mike e ngushtë e viktimës.
Policia përjashton pistën e trafikut të drogës, duke e lidhur ngjarjen me një konflikt personal mes viktimës dhe qiraxhiut të tij. Shqiptari, i cili sapo ishte kthyer nga pushimet, njihej si njeri i qetë dhe i respektuar në lagje. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
