Manastirliu: Lehtësuam problematikën e mbartur prej vitesh. Beqaj: Urgjenca kardiake, projekt i rëndësishëm jetëshpëtues
Shpresa Mezini
Prej pesë muajsh në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” mund të bëhet koronarografi edhe pas orës 16.00 të mesditës. Kjo vlen për çdo të sëmurë kardiakë që përballet me infarkt akut në orët e natës. Nëse deri përpara 5 muajsh paraqiteshe në urgjencën e problemeve kardiake pas orës 16.00, me përfundimin e orarit zyrtar të punës, prej javësh të tëra ky lloj shërbimi i specializuar ofrohet edhe në QSUT, pa qenë më e nevojshme që pacientët t’i drejtohen privatit, siç ka ndodhur për vite me radhë. “Ka përfituar një numër i konsiderueshëm të sëmurësh, ku nga rreth 400 persona të paraqitur, 200 prej tyre janë realizuar gjatë orëve të natës”, tha shefi i Shërbimit të Hemodinamikës, Artan Goda. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të këtij shërbimi, rezulton se deri dy ditë më parë janë realizuar 217 ekzaminime për pacientët e paraqitur si raste urgjente, ku numrin më të madh të ekzaminimeve e ka Tirana, Durrësi, Vlora dhe Korça. Mjekët thonë se mesatarisht gjatë natës bëhen 3-6 ekzaminime të tilla, por me raste edhe ndërhyrje kirurgjikale falë konsolidimit të shërbimit të kardiologjisë në QSUT. Një arritje e rëndësishme në sistemin shëndetësor që ka ndikuar në përmirësimin e shërbimit është sidomos hapja e urgjencës kardiake, gjatë gjithë 24 orëve, në 7 ditët e javës, që nga 1 nëntori i vitit 2015 ka shpëtuar 220 jetë njerëzish. “Urgjenca kardiake është bërë e mundur prej nëntorit dhe do të vazhdojë edhe më tej, në sajë të këmbënguljes së profesionistëve, të shërbimit të kardiologjisë, por padyshim edhe falë mbështetjes së Ministrisë së Shëndetësisë dhe të gjithë strukturës që është krijuar për të lehtësuar këtë problematikë e cila ishte e mbartur prej kohësh. Bëhet e mundur në sajë të rritjes së kapaciteteve të burimeve njerëzore, pra me hemodinamistë, me infermierë me teknikë imazherie”, u shpreh drejtoresha e QSUT-së, Ogerta Manastirliu, e cila gjithashtu theksoi se kjo është realizuar edhe falë rritjes së buxhetit për blerjen e materialeve mjekësore aq shumë të nevojshme për këtë shërbim. “Urgjenca kardiake vjen edhe si pasojë e aparaturave të shtuara për këtë shërbim dhe regjimit të mirëmbajtjes ful-risk, dhe padyshim, bëhet e mundur në sajë të vullnetit dhe angazhimit të profesionistëve në këtë shërbim”, shtoi Manastirliu. Deklaratat e autoriteteve përgjegjëse të shëndetësisë, por edhe të dhënat u bënë publike dje nga mjekët e Shërbimit të Hemodinamikës gjatë një inspektimi që ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, kreu në këtë shërbim gjatë orëve të natës. “217 pacientët e paraqitur në urgjencë, rezultojnë të jenë jetë të shpëtuara falë ndërhyrjes dhe ekzaminimeve që u janë kryer pacientëve. Këto në fakt, janë jetë të shpëtuara, sepse flasim gjithmonë për fazën akute të ardhjes së urgjencës për personat me infarkt të miokardit. Brenda orëve të para të zhvillimit të kësaj sëmundjeje që të gjithë e njohim se sa e rrezikshme është dhe sa jetë merr”, u shpreh shefi i Shërbimit të Hemodinamikës. Nga ana tjetër, mjekët hemodinamistë tregojnë se çdo natë përballen me 2 apo 3 raste të urgjencave, dhe në ditë me shumë fluks deri në 5 apo 6 pacientë. “Rezulton se kemi 2-3 urgjenca në natë, por ka ndodhur edhe kur kemi një fluks prej 5-6 pacientësh. Të gjitha rastet vijnë pas vlerësimit dhe përcaktimit që i është bërë nga mjekët e reanimacionit duke plotësuar edhe ekzaminimet e tjera shtesë si ECHO, EKG apo analiza të përgjithshme”, tha Ndriçim Kallashi, mjek intervencionist kardiolog. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, e ka quajtur hapjen e këtij shërbimi, si një nga projektet më të rëndësishme jetëshpëtues, duke pasur parasysh numrin e lartë të personave, që kanë probleme kardiake, ndërkohë që të gjithë pacientët e përfitojnë falas këtë ekzaminim. “Ky shërbim funksionon edhe gjatë orëve të naftës, si dhe në ditët e fundjavës, të shtunë dhe të diel përgjatë 24 orëve. Për shembull, me sa jam informuar nga shërbimi natën e ndërrimit të viteve ka pasur 7 raste. Imagjinoni 7 raste që në vend të ktheheshin në fatkeqësi për familjet janë kuruar këtu dhe padyshim falas. Sigurisht që rritja e këtij shërbimi falas na ka bërë që ne të arrijmë të mbulojmë sot rreth 70% të rasteve që ndodhin në vend me këtë lloj ndërhyrjeje, të kryera në QSUT, të kryera në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ apo të financuar me paratë publike edhe në 5 spitale private me të cilët jemi të kontraktuar”, sqaroi ministri i Shëndetësisë.