Një aparaturë e rëndësishme për trajtimin e gurëve në veshka ka dalë jashtë funksionit prej muajsh në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Bëhet fjalë për Litotripterin, pajisjen që përdoret për trajtimin e gurëve në veshka, shërbim që ofrohet në pavijonin e Urologjisë. Mungesa e saj ka lënë pacientët pa mundësinë për të marrë këtë trajtim në QSUT. Denoncimet e qytetarëve e çuan Fiks Faren në pavijonin e Urologjisë, për të verifikuar se çfarë po ndodh me këtë aparaturë. Fillimisht, gazetarët hynë me kamerë të fshehtë dhe morën konfirmimin nga kryeinfermieria se pajisja nuk funksiononte.
Por, kur gazetarja u rikthye me kamerë të hapur për të kërkuar një shpjegim, përgjigjet ndryshuan. Kryeinfermieria pretendoi se aparatura punonte dhe i kërkoi gazetares ta shoqëronte për ta parë nga afër. Në vend të një përgjigjeje të qartë, situata u tensionua. Në pavijon mbërritën punonjës të sigurisë, të cilët tentuan të ndërprisnin xhirimet dhe të nxirrnin ekipin e Fiks Fare jashtë ambienteve të spitalit. Gjatë përplasjes pati edhe konfrontim fizik, pasi një prej punonjësve tentoi t’i merrte gazetares mikrofonin dhe kamerën.

Në këtë situatë ndërhyri edhe administratorja e spitalit, e cila fillimisht kërkoi të dinte nëse gazetarët kishin leje për të xhiruar. Por, kur u pyet drejtpërdrejt nëse aparatura e Litotripsisë funksiononte apo jo, pas disa sekondash heshtjeje, ajo pranoi se pajisja nuk punonte. Madje, administratorja bëri të ditur se pacientët po dërgoheshin në Memorialin e Fierit për të marrë shërbimin.
Për të mos lënë vend për paqartësi dhe për të marrë një përgjigje zyrtare, Fiks Fare iu drejtua me një kërkesë për informacion drejtuesve të QSUT-së. Përgjigjja e institucionit konfirmoi atë që gazetarët kishin konstatuar gjatë verifikimit në terren.
Në dokumentin zyrtar, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pranon se aparatura e Litotripsisë ka shfaqur defekt teknik dhe ka dalë jashtë funksionit që prej datës 1 korrik 2026. QSUT sqaron se pajisja aktualisht nuk është në gjendje pune.
Institucioni shpjegon gjithashtu se mirëmbajtja me kontratë “full risk” nuk ka nisur ende, pasi pajisja duhet fillimisht të rikthehet në gjendje funksionale. Vetëm pas përfundimit të riparimit dhe verifikimit të funksionalitetit të saj, do të vijojë edhe procesi i mirëmbajtjes.
Ndërkohë, për riparimin e aparaturës është parashikuar një fond prej më shumë se 4.5 milionë lekësh pa TVSH. Një shumë e konsiderueshme, ndërsa pacientët prej muajsh nuk mund të marrin këtë shërbim në QSUT.
Pra, ndërsa aparatura qëndron jashtë funksionit dhe institucionet flasin për riparimin e saj, pacientët përballen me pritjen, udhëtimet dhe vështirësinë për të siguruar trajtimin e nevojshëm.
Top Channel
