Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat kundër qeverisë gjatë një interviste për CNN, ku hodhi poshtë pretendimet për mobilizime të mëdha në Shqipëri dhe akuzoi aktorë të jashtëm për përhapje dezinformatash në rrjet.
Në bisedën me gazetaren Eleni Giokos, kreu i qeverisë deklaroi se një pjesë e materialeve që qarkullojnë online si pamje nga protesta në Shqipëri janë, sipas tij, video të marra nga vende të tjera dhe të paraqitura në mënyrë të rreme si ngjarje të zhvilluara në vend.
Rama tha se Shqipëria vijon të jetë objekt i sulmeve kibernetike dhe fushatave të dezinformimit, duke përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë Republikën Islamike të Iranit.
“Sasia e dezinformatave, e videove të rreme, e videove të marra nga protesta në vende të tjera dhe të paraqitura si protesta në Shqipëri, sasia e bot-eve që kanë hyrë aty nga armiku ynë… Ne kemi një armik, i vetmi armik është Republika Islamike e Iranit, dhe ata kanë tre vjet që zhvillojnë një sulm kibernetik të pamëshirshëm kundër Shqipërisë dhe janë përfshirë edhe në këtë çështje”, u shpreh Rama.
