Qytetarët kanë nisur grumbullimin për protestën e 52-të radhazi, në sheshin “Skënderbej”. Qytetarët kanë kërkuar plotësimin e pesë kërkesave të cilat përfshijnë dorëheqjen e panegociushme të kryeministrit Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe ndryshime kushtetuese. Qytetarët protestojnë prej 52 ditësh për gjendjen sociale dhe ekonomike të vendit, e po ashtu kundërshtojnë ndërtimin e projektit të resortit luksoz në Zvërnec e ishullin Sazan.

Kërkesat e protestuesve:

1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.

2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.

3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.

4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.

5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.