Kryetari i Partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ka vendosur të mbyllë protestën që nisi më 8 dhjetor 2025.

Protesta që zgjati tre muaj e dhjetë ditë u zhvillua mes përplasjesh me policinë, vështirësive të motit dhe një pritjeje të gjatë për mbështetje më të gjerë qytetare që, siç duket, nuk erdhi kurrë. Përpara kryeministrisë u vendos një tabelë ku shkruhej, “Sheshi u Lirua”.

Në lidhje me këtë ka reaguar në rrjetet sociale dhe aktivistja Edona Haklaj, anëtare e “Shqipëria Bëhet”.

Reagimi i plotë:

Edi Rama, nuk do dëgjojë më çdo ditë poshtë zyrës së tij që është hajdut, por nuk do e ndalojë dot këtë të vërtetë të buçasë në çdo shesh, qytet e fshat të Shqipërisë. Je hajdut me vulë e firmë, o kryeministër!

Sheshi u lirua…

Belinda Balluku nuk do dëgjojë çdo ditë në zemër të KrimMinistrisë faktet e përsëritura mbi vjedhjet e korrupsionin që ka bërë, por do dëgjojë në çdo cep të Shqipërisë bëmat që ajo me të vetët kanë kryer. Je hajdute dhe e korruptuar, o deputete e mbrojtur nga kartonat e turpit!

Sheshi u lirua…

Uniformave të Policisë nuk do u duhet më të rrethojnë një karton e disa karrige për llogari të pushtetit, e nuk do të fshihen më pas urdhrave të Edi Ramës për të larguar të rrezikshmit që qëndrojnë përballë shefave të tyre. Duke mbrojtur hajdutët, nuk nderoni uniformën e shtetit, o Polici e Shtetit, që në 108 ditë ju përdorën për shoqërim kartoni!

Sheshi u lirua…

Shefat e Policisë që procedojnë e dhunojnë me urdhër nga lart, sot mund të mburren para atyre që u servilosen si militantë partie: “Shef, ja dolëm… i larguam!” Por nuk na largoni dot nga e vërteta e madhe që ju ndjek kudo: Jeni vënë në shërbim krimit, o shefa që si ligj njihni vetëm ‘urdhrin nga lart’!

Sheshi u lirua…

Opozita që bën xhiro, që kalon sa për sy e faqe dhe largohet pa qëndresë e pa përballje, sot nuk ka më justifikim e as alibi, por ka një pasqyrë më shumë për të parë veten: Sheshin e qëndresës!

Sheshi u lirua…

Ata që u tallën dhe ironizuan këtë qëndresë me thirrje e postime, sot kanë mbetur pa titull për cinizmin e tyre. Si do ja bëni tani për foto cepash e skutash, Erion Braçe dhe Taulant Balla?

Sheshi u lirua…

Ata që u ankuan për sheshin e “zaptuar”, për hapësirën publike që ju dukej e zënë nga ne, sot mund ta shijojnë qetësinë që kërkonin…Sheshin e keni të lirë, por ju vet a jeni të tillë?

Sheshi u lirua…

Edi Rama na vjedh. Belinda Balluku po mbrohet nga të vetët. Ergys Agasi po bën cirk me kupolën qeveritare. Monika Kryemadhi është opinioniste. Sali Berisha po bën gati paktin e radhës. Lekët tona rrush e kumbulla. Çmimi i karburantit gjithnjë në rritje…

Sheshi u lirua, do protestojë njeri?