Organizohen në internet dhe kërkojnë të identifikojnë dhe pastrojnë zonat e pista


Gjergj Erebara


Një grup qytetarësh të organizuar nga Instituti Shqiptar i Shkencave po organizohen përmes rrjeteve shoqërore në internet si “Facebook” për të trajtuar problemin e mbushjes së Shqipërisë me plehra, një nismë kjo që synon, nga njëra anë të identifikojë zonat e nxehta dhe nga ana tjetër, të organizojë vullnetarë për pastrimin e tyre.


Nisma që është përhapur në formë virusi në “Facebook” ka përcaktuar sakaq zonën e parë të nxehtë, si dhe datën kur shqiptarët ftohen të shkojnë vullnetarisht për një shëtitje dhe për të pastruar një plazh.


“Nëpërmjet platformës www.smarttourist.al, çdo pushuesi apo qytetari i jepet mundësia të raportojë e më tej të informohet mbi cilësinë dhe problematikën me zonat turistike. ‘Smart Tourism Albania’ do të shërbejë si platformë ku qytetarët do të mund të raportojnë probleme që hasin në ambientet përreth. Raportimi do të kryhet direkt nëpërmjet aplikimeve në celularë të posaçëm për telefonat Android dhe iPhone e të shkarkueshme në çdo telefon, ose direkt në faqen tonë”, thotë Aranita Brahaj, drejtoresha e AIS.


Ndërkohë, “Tirana Ekspres” ka filluar sakaq të organizojë një fushatë për pastrimin e plehrave nga plazhi pranë Kepit të Rodonit dhe u bën thirrje qytetarëve që në datat 24-26 gusht t’i bashkohen për një shëtitje në këtë zonë, si dhe të punojnë për të pastruar malet me plehra.


“Ky organizim synon të ndërmarrë në data 24-26 gusht një aksion konkret për të parandaluar degradimin e një prej zonave më piktoreske dhe të veçanta të bregdetit shqiptar: Kepi i Rodonit”, thotë “Tirana Ekspres”.


Kepi i Rodonit është një zonë bregdetare pa ndërtime dhe nuk është prekur nga kaosi i dy dekadave të fundit. Kjo zonë shtrihet larg akseve të rrugëve nacionale. Megjithëse jo i populluar dhe frekuentuar Kepi i Rodonit ka ndotje të theksuar nga mbetjet urbane dhe inerte. Shkak i kësaj janë prurjet e lumenjve dhe deltave ujore të cilat përdoren si vende për depozitim dhe shkarkim të mbetjeve të zonave të banuara. Përkatësisht mbeturina shkarkohen në lumenjtë Ishëm dhe Mat. Me lumin Ishëm lundrojnë drejt Kepit mbetje urbane që shkarkohen në Tiranë (Lana dhe Lumi i Tiranës bashkohen në Kamzë dhe më tej bëhen pjesë e Lumit Ishëm në afërsi të fshatit Tërkuzë); Laknas; Rinas; Prezë dhe e gjithë Malësia e Ishmit. Me lumin Mat lundrojnë drejt Kepit mbetje të hedhura në luginën e lumit që nga zona e Fanit; Krahina e Matit e më tej Milot; Kurbin; Fushë–Krujë; Fushëkuqe etj.


Këto tonelata mbetje, të cilat lundrojnë drejt grykëderdhjeve të deltave, depozitohen në brigjet piktoreske të Kepit të Rodonit. Aktualisht ky kep me vlera natyrore dhe historike është shndërruar në një kosh gjigant mbeturinash.


“Aksion pastrimi tek Kepi i Rodonit” është një nismë qytetare për aktivizimin e vullnetarëve, të cilët në datat 24 deri 26 gusht do të pastrojnë bregun, duke mbledhur dhe duke dërguar në depot e riciklimit mbetjet përkatëse. Gjithashtu ky aksion synon sensibilizim dhe presion qytetar për të ndërprerë hedhjen dhe depozitimin e mbetjeve urbaneve të bashkive dhe komunave përgjatë lumenjve dhe përrenjve që derdhen në bregun e Adriatikut. Grupi iniciator synon të edukojë publikun mbi rëndësinë e grumbullimit të mbetjeve për riciklim, si zgjidhje e duhur për problematikën e ndotjes.