Një grup qytetarësh janë mbledhur këtë të mërkurë para ambienteve të SPAK, ku kanë dorëzuar librin “Albanian Files”.
Protestuesit kanë shprehur mbështetjen ndaj SPAK për hetimin ndaj funksionarëve të lartë shtetërorë, e nga ana tjetër theksuan se presin rezultate konkrete. Aktivistja Sidorela Vatnikaj deklaroi se libri “Albanian Files”, i firmosur nga protestuesit, përmban 523 projekte, të cilat sipas saj janë të ndërtuara, në proces ndërtimi ose të planifikuara për t’u realizuar. Sipas saj, libri tregon shmangien e konsultimeve dhe pretendoi se ligji 2424 është miratuar në lidhje me projekte që ishin parashikuar më herët.
“Në këtë libër gjenden 523 projekte, disa të ndërtuara, disa në ndërtim e sipër dhe disa të tjera në plan për tu ndërtuar. Në këtë libër del qartë se Rama ka shmangur konsultimin publik. Në këtë libër del qartë se ligji 2424 është një ligj i miratuar për shkak të projekteve të ndryshme që gjendjen në këtë libër vite më parë se të ndryshohej ligji. Ne jemi këtu për t’i thënë SPAK se ka mbështetjen tonë për veprimet e deritanishme. Ne nuk jemi për drejtësi popullore, por ne kërkojmë një shtet të së drejtës ku kryeministri të trajtohet dhe hetohet si të gjithë qytetarët. Kërkojmë drejtësi deri në fund dhe drejtësi për të gjithë pavarësisht pushtetit momental”, tha aktivistja Sidorela Vatnikaj.
Më tej qytetarët kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke theksuar se nuk do t’i ndalin tubimet deri në plotësimin e kërkesës për largimin e kryeministrit nga detyra.
