Në vitin 2023, një operacion i madh i Policisë së Shtetit për të ndërprerë sytë e krimit nga territori çoi në një aksion të masave kombëtare për heqjen e kamerave “spiune” në vend.

Të dhënat e policisë bëjnë me dije se në shkurt të 2023 janë larguar nga rrugët 528 kamera për një periudhë 1-mujore. Operacioni do të konsiderohej mjaft i suksesshëm për kohën nga autoritetet tona, por historia ka treguar se kamerat e kontrolluara nga krimi i organizuar nuk u larguan kurrë nga rrugët. Akoma më keq, shpesh ata kanë pasur akses në kamerat e institucioneve.

Nga “pastrimi” i syve të krimit, tashmë përpjekjet kanë kaluar në drejtimin tjetër, atë të shtrirjes së syve të institucioneve ligjzbatuese mbi territor.

“Smart City” është projekti i prezantuar me pompozitet nga qeveria. Një investim që në thelb synon rritjen e sigurisë në vendin tonë, kryesisht në qytete, rrugë, por edhe në shkolla.

Duke synuar rritjen e kontrollit mbi territor, është menduar që shtrirja e kamerave të ashtuquajtura inteligjente të ndihmojë në parandalimin e ngjarjeve kriminale, por edhe zbulueshmërinë e tyre.

Në këtë pikë, nuk mund të flasim me siguri se si do të ndikojë direkt dhe rezultatet që do të ketë dhe nëse do të përligjë pritshmëritë e qeverisë, por ky projekt ka sjellë debate publike, kundërshti të mëdha dhe mbështetje të fortë nga disa të tjerë.

“Duke parë vendin se ku do të zbatohet projekti, jam në parim kundër, sepse historia ka treguar se në projekte madhore si Smart City, ku flitet për të drejtat dhe liritë e individëve, zbatueshmëria dhe problematikat janë të mëdha, prandaj jam në parim kundër”, u shpreh avokati Redi Ramaj.

“Sot, me zhvillimin e kriminalitetit dhe rritjen e trafikut dhe konfliktet në ambientet publike dhe në shkolla, vitet e fundit janë konstatuar me dhjetëra arrestime të grupeve që veprojnë jashtë shkollave, që i kanë shfrytëzuar adoleshentët për shitës dhe shpërndarës lëndësh narkotike. Të gjitha këto kanë lindur nevojën për të rritur nivelin e sigurisë”, u shpreh eksperti i sigurisë Faik Basha.

“Me këtë vend po bëhet një eksperiment”, u shpreh avokati Edmond Petraj.

“Smart City” nuk është një term i ri për Shqipërinë. Një projekt i tillë ishte menduar për t’u realizuar në Bashkinë e Tiranës në vitin 2019 dhe në vazhdim.

Kryeqyteti do të niste një reformim të shërbimeve për t’u kthyer në një qytet Smart, duke bërë që me anë të teknologjisë të ofronte shërbime qeveritare, bashkiake dhe në sektorin privat.

Inside Story ka biseduar me një nga personat që ka qenë pjesë e grupit të punës së këtij projekti dhe tregon se ideja fillestare e Tiranës nuk ka qenë e ngjashme me atë që po reklamohet sot.

“Kam qenë pjesë e grupit të punës për projektin Tirana Smart City. Kur u mendua diku nga viti 2019, ishte që të ndërtonim një infrastrukturë smart, që të digjitalizonim shërbimet, që të ndikonte te trafiku e të gjitha me radhë, jo për atë që po diskutohet sot”, u shpreh ekspeeti i ekonomisë Ergis Sefa.

Por në realitet, projekti i menduar për Tiranën nuk u realizua kurrë për disa faktorë që ishin të pashmangshëm. Pandemia në vitin 2020 bëri që Tirana Smart City të mbetet vetëm në letër dhe të mos ketë vazhdimësi.

“Në dijeninë time, projekti nuk u vendos në jetë, pasi erdhi periudha e pandemisë që ndaloi gjithçka dhe na ndaloi edhe ne të vazhdonim të punonim për ta çuar përpara”, u shpreh Ergis Sefa./TCH