Prokuroria e Shkodrës ka hapur hetimet lidhur me vdekjen Mirel Çokaj, i cili u gjet i pajetë në një humnerë në malet e Kelmendit në Malësinë e Madhe, më 18 shtator.
Policia fillimisht tha se ishte një rrëzim aksidental i viktimës, por familjarët ngritën dyshime për vrasje duke deklaruar se Çokaj merrej me drogë. Kushëriri i viktimës, Rifat Çokaj, një ish oficer policie me banim në Amerikë, deklaroi publikisht se 40-vjeçari kishte shkuar në Kelmend për parcelat e drogës dhe mund të jetë vrarë nga bashkëpunëtorët e tij.
Ngjarja ndodhi më 18 shtator të këtij viti, kur policia mori njoftimin se një person ishte rrëzuar në fshatin Kozhnje të Malësisë së Madhe. Në orët e pasdites fillimisht përmes dronit, efektivët konfimuan se trupi i pajetë i përkiste shtetasit Mirel Çokaj. 24 orë pas njoftimit u bë e mundur nxjerrja e viktimës nga humnera përmes një helikopteri të Forcave të Ushtrisë të cilët erdhën dhe nxorën trupin e pajetë.
Dyshimet e të afërmve lidhen me një vrasje të mundshme pasi sipas tyre Mirel Çokaj para se të humbte jetën ndodhej në një parcelë droge rreth një orë larg vendit ku u gjet. Sipas familjarëve 40 vjeçari parcelën e drogës e kishte bashkë me disa ortakë të tjerë dhe dyshojnë se njëri prej tyre të paktën mund ta ketë shtyrë shtetasin Mirel Çokaj drejt humnerës me qëllim për të mos i dhënë pjesën e fitimit që i takonte nga ky biznes i paligjshëm.
Kanabisi i kultivuar atje ishte gati për t’u korrur dhe për t’u bërë gati për treg dhe pikërisht në këto momente Çokaj u gjet i pajetë në humnerë. Të afërmit shtuan dyshimet edhe për faktin se telefoni celular i viktimës nuk është gjetur ende dhe mendojnë se personi që e ka shtyrë, ka zhdukur edhe celularin diku në humnerë duke e bërë të pamundur që të gjendet më.
Po ashtu, viktima, sipas familjarëve, kishte për t’u kthyer dy ditë më vonë dhe jo atë ditë që u largua dhe se kthimin e ka bërë në një shteg tjetër, të ndryshëm nga rruga që bënte zakonisht për tek parcela e drogës. Këto dhe të tjera dyshime që familja kanë çojnë sipas tyre tek një vrasje e mundshme dhe jo një rrëzim aksidental.
Në vendin ku ishte parcela e drogës, menjëherë pas ngjarjes policia ka gjetur atje 780 bimë kanabis sativa duke bërë asgjësimin e tyre, gjë e cila vërteton se viktima para se të rrëzohej ka qenë duke ruajtur parcelën e drogës, ruajtje që zakonisht në këto raste nuk mund ta bëjë një person i vetëm dhe sipas të afërmve duhet të ketë qenë edhe me një person tjetër kur janë larguar.
Tashmë prokuroria ka hapur hetimet dhe po merr në pyetje familjarët, të afërm, të dyshuarit që familja ka dhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni rreth kësaj ngjarje nëse vërtetë kemi të bëjmë me një vrasje të Mirel Çokaj siç pretendohet.