Një turiste holandeze është plagosur teksa u rrëzua nga muri i Kalasë së Beratit.

Ngjarja ndodhi ditën e sotme teksa 69-vjeçarja ndodhej së bashku me familjen e saj në qytetin e gurtë për vizitë turistike.

Por aksidentalisht është rrëzuar nga muri teksa përpiqej të bënte fotografi artistike.

Sipas policisë vendore, ajo ka shkarë nga muri rrethues i Kalasë së Beratit, duke rënë nga një lartësi.

Fatmirësisht, 69-vjeçarja ra mbi një pirg me shkurre e degë pishe dhe si pasojë e rrëzimit, mësohet se turistja ka thyer njërën këmbë dhe ka marrë lëndime të shumta në trup.

Turistja ka rënë aksidentalisht nga një lartësi prej rreth 12 metrash. Ajo u transportua me ambulancë drejt Spitalit Rajonal Berat, ku u mbajt nën kujdesin e mjekëve dhe me plagë të rënda.

Më pas, e plagosura është transportuar me urgjencë drejt Spitali i Traumës në Tiranë, për shkak të frakturave.

Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë dhe grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, që po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.