Në një kohë kur Pogradec ka nisur të presë pushuesit e parë të stinës së verës, radhët dhe pritjet e gjata në pikën kufitare të Qafë Thanë, në kufi me Maqedoninë e Veriut, po konsiderohen si një shqetësim i madh për zhvillimin normal të stinës turistike në qytetin pranë liqenit.
Marrëveshja mes dy shteteve për një kontroll të përbashkët nga policitë kufitare, me qëllim lehtësimin e kalimit në kufi, duket se nuk ka sjellë përmirësimin e pritur.
Për këtë arsye, drejtuesi i Bashkisë së Pogradecit i ka kërkuar qeverisë shqiptare të ndërhyjë sa më shpejt për zgjidhjen e kësaj gjendjeje problematike.
Në prag të hapjes zyrtare të stinës turistike në Pogradec, përfaqësuesit e fushës së turizmit flasin për kërkesa të kënaqshme për pushime, ku nuk mungojnë as të huajt, kryesisht nga Anglia, Franca dhe Greqia.
Pogradec pritet të çelë stinën verore më 6 qershor, ndërsa premton një verë me një program të pasur veprimtarish artistike dhe kulturore.
