Nuk ka akt më patriotik kombëtar se sa Shqiperia europiane dhe ky rrugëtim duhet të mbështetet nga të gjithë.

Kështu e vlerëson kreu i BDI, Ali Ahmeti kryeministrin Rama dhe vizionin e tij për të drejtuar mandatin e katërt.

Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti dërgon urimet më të përzemërta për suksese në zbatimin e programit qeverisës.

“I nderuar Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, i dashur Edi!

Të uroj si vëllai vëllanë për rizgjedhjen në krye të Qeverisë shqiptare me uratat më të sinqerta për suksese në zbatimin e programit qeverisës.

Ne na ke përkrah, në mbështetje të Shqipërisë europiane dhe të ecjes pa asnjë ndalesë, me hapa të sigurt dhe të shpejtë, drejt integrimit të plotë europian. Sot, nuk ka akt më patriotik kombëtar se sa Shqipëria europiane dhe ky rrugëtim duhet të mbështetet nga të gjithë.”

Ahmeti ndalet edhe tek rrugët tashmë të ndara të Tiranës zyrtare dhe Shkupit në procesin integrues.

Sipas tij kontrasti është i plotë tërësisht në favor të Tiranës.

“Më 19 korrik të vitit 2022, Shkupi dhe Tirana i filluan bashkë negociatat në Bruksel, ndërsa sot , Shqipëria ka hapur gati të gjitha kapitujt negociues, ndërsa Maqedonia e Veriut e ka humbur rrugën drejt kryeqendrës europiane. Ngecja e Maqedonisë së veriut në rrugëtimin europian dhe rritja e ndikimeve serbo-ruse në vend paraqet shqetësim të madh për ne, bashkë me cënimin e rëndë të barazisë etnike nëpërmjet të rrënimit të Marreveshjes paqësore të Ohrit nga viti 2001.”

Ahmeti e cilëson shembullor përkushtimin e Shqipërisë dhe Edi Ramës për integrimin europian të vendit dhe shpreson që ky shembull të ndiqet edhe nga vendet e tjera.

Kreu i BDI vlerëson mandatin Rama 4 si më të rëndësishmin për Shqipërinë dhe shqiptarët por edhe për rajonin.