Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të premte një takim me qytetarë të Kurbinit, ku foli dhe për tërmetin e 26 nëntorit 2019, i cili shkaktoi disa viktima dhe shembi e dëmtoi rëndë një numër të madh banesash private dhe pallatesh, duke lënë të pastrehë qindra familje.
Berisha tha edhe sot, pas 6 vitesh nga ajo tragjedi, mbi 200 familje në Kurbin qëndrojnë ende në çadra dhe jo në banesat e tyre.
“Miqtë e mi, jam këtu në Kurbin, qytet që me 26 nëntor të vitit 2019 përjetoi një katastrofë natyrore të madhe. Sot pas 6 vitesh nga qeveria shqiptare pothuajse nuk është bërë asgjë. U ndërtuan apartamentet nga qeveria turke dhe unë e falënderoj me mirënjohje, po sot mbi 200 familje qëndrojnë në çadra dhe jo në banesat e tyre. Sot një seri pallatesh sërish janë jashtë çdo standardi. Edi Rama nuk e ka mendjen të zgjidhë problemet e qytetarëve të Kurbinit, qytetarëve të Durrësit, qytetarëve të Shqipërisë që pësuan një tronditje të madhe, por e ka mendjen se si të pasurohet, si të fryjë më shumë kontot e tij bankare. Miq, në shtator të vitit 2019 ndodhi një tërmet që pothuajse thërrmoi pallatet në Thumanë. Qytetarët e Thumanës u lanë në pallate të pabanueshme gjersa tërmeti tjetër u mori jetën dhe sot nuk ka asnjë përgjegjës. Askush sepse të gjithë ata ishin klani i Edi Ramës, ministrat e Edi Ramës, zyrtarët e Edi Ramës. Miqtë e mi, jam këtu për t’u zotuar para jush se vitin e parë do përmbyllen të gjithë plagët e krijuara nga tërmeti në këtë qytet dhe në të gjithë territorin e zonës së tij. Pa përjashtim! Jam këtu për t’u zotuar para jush se Kurbinit dhe çdo rrethi tjetër në Shqipëri do i rikthehen të gjitha institucionet siç i kanë pasur para reformës famëzezë të Edi Ramës. Që të gjitha, me gjykata dhe prokurori, që të gjitha pa përjashtim. Miq, largimi i shërbimeve nga ju është gjobë për ju. Kjo merr fund. Ajo që do shkarkohet menjëherë është Majlinda. Bëhu gati. Dhe i them këtu para jush se do të duhet të punojë ose të ketë vite burgu të paktën 30 vjet për rrogat që paguan për ata që janë në Spanjë, që janë në Dubai, dhe që i merr paratë dhe i ndaj me të tjerët, të gjitha taksat tuaja”,- tha Berisha.
Rezolutën e miratuar në Valencia nga Partitë Popullore Europiane, me propozim të Partisë Demokratike, Berisha e cilësoi një goditje për kryeministrin Edi Rama.
“Miq, Edi Rama po numëron ditët. Është në rreth të kuq. Ju e dëgjuat rezolutën e 82 partive politike që qeverisin Europën sot se si e damkosën si armik të votës së lirë, si armik të opozitës, si baloz i lidhur me krimin. Në Valencia triumfoi kauza juaj. Në Valencia triumfuan idealet tuaja të lirisë. Idealet për një Shqipëri pluraliste dhe mori goditjen më fatale Edi Rama dhe bandat e tij. Kudo që shkon e ndjek si lugat, e ndjek si fantazmë McGonigali, dosja e tij. Edi Rama është i famshëm, ka në supe thesin me 225 mijë euro me të cilin korruptoi McGonigalin. Absolutisht atje do të shkojë në burg si ai. E patë ju, e patë në Valencia pasaportën e tij si ia grisën, ia hodhën në kosh. Me Edi Ramën nuk ka integrim, me Edi Ramën shkohet drejt të shkuarës. Ai përpiqet të mbrohet duke e shndërruar fushatën në tallava dhe banalitete vetëm e vetëm si të shpëtojë nga ju për vjedhjet që u ka bërë, për dështimet që ka bërë. Por ditët e ka të numëruara. Sot janë nëntë, nesër do jenë tetë. Dhe së shpejti do marrë fund me 11. Vota juaj është vota e historisë. Vota e shqiptarëve. Miq, unë garantova me fjalë nderi udhëheqjen politike të Europës, se shqiptarët që përmbysën diktaturën më staliniste në Europë, do përmbysin më 11 Maj diktaturën e parë të drogës dhe krimit të Edi Ramës”,-tha Berisha.
