Gjatë takimit me operatorë të biznesit ushqimor, kryeministri Rama iu drejtua atyre duke u thënë se kanë detyrë që të shesin produkte të sigurta për konsumatorët.
“Keni detyrën t’iu shisni produkte të sigurta dhe këto që kërkohen janë paketa e dijes që vjen nga BE për ne dhe për ju, për t’u bërë të aftë që të tregtojmë në këtë vend produkte ushqimore të sigurta. Siguria ushqimore do të jetë prioritet absolut. Qasja jonë do të jetë krahë për krahë me ju, jo përballë, përballë kemi objektivin”, u shpreh kreu i qeverisë, duke përsëritur se standardet do të jenë njëjtë si ato të BE.
Rama zgjodhi që në fund të gjithë fjalës së tij, ta mbyllte me një mesazh.
“Po e mbyll duke treguar se çfarë u kërkoi Aleksandri i Madh atyre që kishte rrotull kur ishte në shtratin e vdekjes. ‘Do mblidhni mjekët më të mirë dhe do t’i vini të ecin pas arkivolit tim, mua do m’i lini duart hapur dhe rrugën deri te varri do ta shtroni me para. Njëri nga ata i thotë po për çfarë duhet t’i bëjmë këto? Sepse njerëzit i tha, duhet ta shohin që as njeriu më i fuqishëm mbi këtë tokë nuk i ikën dot vdekjes dhe doktorët më të mirë të kësaj tokë nuk kanë çfarë i bëjnë vdekjes. Dhe njeriu më i fuqishëm nga kjo tokë dhe kur ikën nuk ka asgjë në dorë, kthehet siç erdhi. Dhe njerëzit duhet të shohin që gjithë pasuria që mblidhet në këtë tokë, mbetet në këtë tokë’. Ndaj mendoni edhe për këtë, sepse jeta ikën shumë shpejt miqtë e mi”, tha Rama.
