Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se paketa e re ligjore kundër dhunës parashikon dëmshpërblimin e bizneseve për dëmet e shkaktuara gjatë protestave. Gjatë një deklaratë, Rama u shpreh se shteti do të mbulojë 100% të dëmeve për bizneset e vogla dhe deri në 70% për bizneset e mëdha.

Rama deklaroi se masat janë hartuar në bashkëpunim me partnerët europianë, si dhe në koordinim me partnerët italianë dhe francezë, duke iu referuar përvojës së tyre në trajtimin e rasteve të dhunës gjatë protestave. Sipas Ramës, personat që shkaktojnë dëme gjatë protestave do të mbajnë përgjegjësi individuale dhe do të paguajnë pjesën që u takon për dëmet e shkaktuara.

“Pas një pune intensive në bashkëpunim me partnerët europianë, bazuar në jurisprudencën e gjykatës europiane, në koordinim me partnerët italianë e francezë, duke u mbështetur në ekperiencën e tyre kundër kësaj flame anti-demokratike, kemi gati paketën ligjore të masave kundër dhunës dhe anarkisë urbane. Kjo paketë parashikon që protesta qytetare mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari. Përgjegjësia është gjithmonë vetiake. Paketa përbëhet nga 6 instrumenta që plotësojnë njëri-tjetrin. Akti për dëmshpërblimin e biznesit të vogël vjen si një mbështetje financiare, ku shteti do të mbulojë nga 100% të dëmeve për bizneset e vogla, në 70% të dëmeve për bizneset e mëdha. Ata që u përfshinë në ato akte, do të paguajnë secili pjesën e vetë të gjobës. Për dëmet e shkaktuara nga të miturit, dëmshpërblimi do kalojë te prindërit,” tha Rama