SPAK nuk e kundërshtoi thirrjen si dëshmitar të kryeministrit Edi Rama në procesin ndaj tetë të pandehurve për dosjen “Partizani”.

Mësohet se kryeministri Rama është kërkuar si dëshmitar nga mbrojtësit e ish-kryeministrit Berisha, i cili është nën akuzë për korrupsion. Kjo u deklarua në seancë nga prokurorët, të cilët rrëzuan një sërë kërkesash të tjera të të akuzuarve, por thanë “po” për Ramën dëshmitar, por me kushtin që të kuptohet se për çfarë i shërben gjykimit kjo dëshmi.

Sipas prokurores, nëse kryeministri duhet të thirret për të dëshmuar duhet ta vendosë Gjykata. Edhe për thirrjen si dëshmitar të oficerit Besmir Karanxha, i cili shfaqet në një foto me Ulsi Manjën dhe konsiderohet nga mbrojtësit si aktivist politik, SPAK nuk refuzoi, por me kushtin që të kuptohet se çfarë do të thotë.

Si i pandehur në këtë proces Jamarbër Malltezi pati rezerva kur mori disa refuzime për kërkesat e tij, një ndër to ajo për të mos marrë si prova disa artikuj mediatikë. Gjyqi i themelit u shty për në 15 prill. Ndërkohë që në të njëjtën gjykatë Malltezi zhvilloi edhe një betejë tjetër, atë për heqjen e sekuestrove ndaj pasurive që u shty në 7 prill.