Opozita zhvillon sot protestë kombëtare në Tiranë, duke e cilësuar atë si një përballje të drejtpërdrejtë me korrupsionin dhe, sipas saj, arrogancën e pushtetit. Tubimi pritet të nisë në orën 17:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë.
Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të zv/kryeministres Belinda Balluku, pas asaj që e quan skandale të fundit që kanë tronditur qeverinë. Demokratët akuzojnë mazhorancën se po pengon drejtësinë duke refuzuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve për heqjen e imunitetit të Ballukut, duke e interpretuar këtë si përpjekje për të shmangur llogaridhënien.
Sipas PD-së, protesta e sotme përfaqëson zërin e qytetarëve që kundërshtojnë pandëshkueshmërinë dhe kapjen e shtetit.
Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive nga e gjithë Shqipëria, duke theksuar se protesta nuk është vetëm një akt politik i momentit, por një betejë për të ardhmen e vendit dhe demokracinë. Ai ka deklaruar se tubimi do të jetë paqësor dhe se mesazhi i tij do të shkojë përtej kufijve të Shqipërisë, drejt institucioneve europiane.
Berisha ka akuzuar qeverinë për shkelje të të drejtave të njeriut dhe për përdorimin politik të drejtësisë, ndërsa ka bërë thirrje edhe ndaj forcave të rendit që të veprojnë në përputhje me ligjin dhe jo në mbrojtje të pushtetit.
Me sloganin “Poshtë qeveria e krimit”, opozita fton të gjithë qytetarët që kundërshtojnë qeverisjen e bazuar, sipas saj, në frikë dhe korrupsion, të bashkohen sot në orën 17:00 në protestën kombëtare në kryeqytet.
