Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i ftuar në emisionin “Top Story”, ka komentuar përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Kapri e cilësoi situatën si një luftë për pushtet, duke pretenduar se Veliaj kërkon të mbajë Bashkinë e Tiranës si garanci për të dalë nga burgu.

“Kemi dy njerëz që kanë vendosur të hanë kokat e njëri-tjetrit. Situata ndryshoi pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Para këtij vendimi, Edi Rama e mbronte Erion Veliajn. Edhe propaganda ishte që në Bashki po degradohet dhe Veliaj s’mund të qëndrojë në burg. Tani u përplasën interesat. Ai mendohej si pasardhësi i Ramës. Veliaj mendon se përderisa nuk e ndihmoi me Gjykatën e Lartë, atëherë ai thotë të mos ia marrë bashkinë. Veliaj, një politikan i paskrupullt si Rama, kërkon të mbajë Bashkinë e Tiranës që ta ketë si garanci për të dalë nga burgu. Rama nuk i kërkon të japë dorëheqjen, por bën skena mafioze. I çon ministrin e Drejtësisë në mes të natës. Si filmi ‘Narcos’. Presidenti i dërgoi në mes të natës Escobarit ministrin e Drejtësisë.

Jemi në një moment që Erion Veliaj ka tentuar të tregojë dhëmbët. Ne nuk e dimë nëse z. Veliaj do të dalë nga burgu, mund të rikthehet më fuqishëm se ka qenë. Kjo është një luftë tribale ballkanike dhe mafioze për pushtet.

Ju mendoni vërtet që një person si Erion Veliaj mund të ketë shansin të fitojë sërish? Veliaj mund të sfidojë Ramën, të krijojë partinë e vet politike, mund të bëjë ç’të dojë”, tha Kapri.