Ulsi Manja ka reaguar pas largimit nga detyra si ministër i Drejtësisë dhe emërimit në krye të komisionit të Ligjeve.

Manja rikthimin në Kuvend e sheh si një moment të veçantë pas një periudhe të mrekullueshme si ministër i Drejtësisë.

Ndër të tjera ai falënderon kryeministrin Edi Rama për bashkëpunimin ndër vite si dhe i uron suksese ministrit të ri të emëruar në detyrë, Besfort Lamallarit.

“Rikthim në shtëpinë time natyrale – Kuvendin e Shqipërisë, si Kryetar i Komisionit të Ligjeve.

Sot, në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, hodhëm themelet e vizionit Shqipëria 2030 në Evropë. Për mua, ky është një moment i veçantë rikthimi në Kuvend, pas një periudhe të mrekullueshme në krye të Ministrisë së Drejtësisë.

Ka qenë nder dhe një shkollë jete të shërbeja si ministër, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, të cilit i jam mirënjohës për mbështetjen e pakursyer dhe besimin e dhënë në këto afro 17 vite të rrugëtimit tim politik në Partinë Socialiste. Faleminderit nga zemra të gjithë bashkëpunëtorëve të mi në ministri dhe institucionet e varësisë – ju jeni një aset i pazëvendësueshëm i shtetit shqiptar.

Një falënderim të veçantë dua të përcjell edhe për kolegët e mi ministra, me të cilët ndamë punën, sfidat dhe arritjet gjatë këtyre katër viteve. Fryma e skuadrës që ndërtuam bashkë u kurorëzua me sukses në rrugën e integrimit dhe në fitoren plebishitare të 11 majit.

Urime mikut tim, ministrit të ri Besfort Lamollari, i bindur se do të çojë përpara me përkushtim punën tonë të përbashkët.

Mezi pres të nis këtë kapitull të ri, për reformimin e kuadrit ligjor dhe për ta çuar Shqipërinë edhe më afër Bashkimit Europian”, shkruan Manja.