Për herë të parë, kryeministri Edi Rama, ka zbuluar se si u njoh me Jared Kushner dhe Ivanka Trump në vitin 2020, një intervistë për rrjetin britanik televiziv Channel 4. Rama e pranon se nuk ka dilema që i tha po menjëherë dhëndrit të Donald Trump, pasi Jared Kushner i kërkoi mundësitë për të investuar në Shqipëri.

“Unë isha i ftuar t’i bashkohesha disa njerëzve, në një jaht, që ndaloi në Shqipëri, për t’u mbushur me karburant dhe që të shkonte në Mal të Zi. Isha i ftuar dhe shkova. U njoha me Jared dhe Ivanka. Nuk e di nëse kishin dëgjuar më parë për Shqipërinë, por mund t’ju them me bindje se nuk ishin të interesuar për asgjë për Shqipërinë në termat e interesit direkt, ishin të interesuar për historinë, ku ishin. E para. E dyta, kur ndodhi, disa muaj më vonë në Davos, dhe Kushner shprehu interes për mundësitë për të investuar në Shqipëri. Dhe sigurisht që i thashë po. Si do t’i thoja jo? Është gjëja më normale për mua”, tha kryeministri.

Rama tha se ende nuk ka një projekt për Zvërnecin apo Sazanin. Imazhet në internet ishin vetëm një reklamë e shkurtër, por procesi ka evoluar, ndërsa qeveria shqiptare po bën punën e saj duke vlerësuar ndikimin mjedisor.

“Kjo do të jetë një nga gjërat më fantastike për Europën për një kohë shumë të gjatë. Nuk i kanë ndodhur shumë gjëra fantastike Europës prej një kohe tashmë. Sepse do të jetë çfarë gabimisht njerëzit imagjinojnë. Jo çfarë imagjinoni ju. Çfarë u hodh në Instagram ishte thjesht një klip. Projekti ka evoluar. Procesi ka evoluar. Tani janë përfshirë arkitektët më të mirë, dizajnerë peizazhesh që janë të famshëm për ligatina. Në të njëjtën kohë, po bëjmë vlerësimin e ndikimit mjedisor, të pavarur nga ata. Kështu që, projekti nuk brutalizon një vend të bukur. Qëllimi është të rigjenerojë atë.

 Është mirë, shumë mirë që KE është i shqetësuar, s’mund të jetë ndryshe. Dhe ne po negociojmë që të bëhemi anëtarë të BE-së. Thjesht ideja që ne do të shkojmë në një drejtim me një projekt apo çdo projekt në drejtim tjetër që bie ndesh me direktivat e BE-së, është absurd. Nuk jam i lënduar nga komentet për projektin, çdo gjë është personale. Por s’jam personale. Për mua kjo protestë, e qershorit, jo tani, është konfirmimi se vendi është në një nivel tjetër, dhe një pasqyrë se çfarë duhet për të reflektuar”, shtoi kreu i qeverisë.