Avokati Spartak Ngjela i ftuar në Breaking në Top News, ditën e sotme foli për krizën brenda PD-së dhe për çështjen Partizani në të cilën mund të thirret dëshmitar edhe kryeministri Edi Rama.
Ngjela tha se për të respektuar shtetin e tij, Rama duhet të shkojë nëse thirret. Ndërsa për PD ai u shpreh se vijon të mbetet në krizë pasi është pushtuar nga Sali Berisha.
“Saliu është kriza e PD-së, ata jo se nuk e kuptojnë, por ky e ka pushtuar këtë parti prej vitesh dhe nuk ikën. Pse qëndron? Nuk qëndron se merr pushtetin, por mbron pasurinë e tij të vendosur në sekuestro prej akuzës së SPAK. Janë këto dy aspekte. Do dënohet Saliu në SPAK për korrupsion dhe a do i konfiskohet pasuria? Për këtë lufton ai. Nuk e di pse SPAK po e zvarrit këtë proces.
Është cështje me karakter kombëtar dhe Drejtësia duhet ta ketë përparësi. Pozitive deri tani është se SPAK ka qenë i drejtuar nga ekspertiza amerikane. Lufta antikorrupsion ka nisur. Po bëjnë sikur nuk kuptojnë.
Nuk kërcënohet aq kollaj Amerika. Rama është i detyruar të shkojë të dëshmojë për çështjen Partizani. Nëse kryeministri nuk respekton shtetin e tij, nuk është kryeministër, është diktator. Kjo është aksioma e demokracisë. Unë besoj që do shkojë. Nuk është normale që të merret me forcë kryeministri por mund të gjejë një kompromis që hetuesia ta pyesë në zyrat e tij. Kjo ka ndodhur në historinë e të drejtës në Perëndim,” tha Ngjela.
