Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj debatit dhe protestave që kanë shoqëruar projektin e diskutuar për zonën e Zvërnecit. Nga Samiti BE–Ballkani Perëndimor, që po mbahet në Tivat, kreu i qeverisë u ndal edhe te kjo çështje, duke kundërshtuar pretendimet e ngritura nga kundërshtarët e projektit.

Rama deklaroi se aktualisht nuk ekziston asnjë projekt i miratuar për t’u shqyrtuar apo debatuar publikisht, ndaj sipas tij shqetësimet e ngritura janë të parakohshme. Ai theksoi se çdo diskutim duhet të mbështetet te faktet dhe dokumentet konkrete, ndërsa shtoi se deri më tani nuk ka një plan përfundimtar të aprovuar nga institucionet.

Kreu i qeverisë i cilësoi protestat si pjesë e një fushate dezinformuese dhe jo si një reagim të bazuar në shqetësime reale mjedisore. Sipas tij, në qarkullim janë shpërndarë materiale dhe pamje që nuk kanë lidhje me atë që po mendohet të realizohet në zonë.

Ai pretendoi gjithashtu se pas këtyre reagimeve qëndrojnë grupe dhe aktorë që kanë qenë të përfshirë edhe më herët në fushata të ngjashme ndikimi, duke e cilësuar situatën si një formë “lufte hibride”.

“Për momentin nuk ka një projekt të miratuar për të cilin mund të zhvillohet debat. Fillimisht duhet të ekzistojë një projekt konkret, të paraqitet dhe më pas të shqyrtohet nga institucionet përkatëse. Nuk ka vend për alarm sa kohë që nuk ka një vendimmarrje përfundimtare. Synimi është të realizohet diçka unike, me vlerë për Shqipërinë dhe për zhvillimin e saj”, u shpreh Rama.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një kohë kur projekti i propozuar për Zvërnecin ka shkaktuar diskutime të forta publike dhe reagime nga grupe të ndryshme qytetare dhe ambientaliste.