Shqipëria është një nga të paktat vende të përzgjedhura si anëtare themeluese në Bordin e Paqes, dhe pa kushtëzime.
Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë zërat se ftesa e Donald Trump ka qenë vetëm një formalitet, pasi letra mund t’u kishte shkuar edhe liderëve të gjithë vendeve anëtare të OKB.
Sipas tij, Shqipëria nuk ka detyrim as të paguajë e as të pranojë palestinezë për të qenë anëtare e Bordit.
Kryeministri ka një mesazh për kritikët e kësaj ftese, por i siguron se anëtarësimi në Bordin e Paqes të drejtuar nga Trump, vetëm e lartëson Shqipërinë në skenën ndërkombëtare.
“Tenxheret politike mediatike po bubullojnë e gërrgërrojnë aq fort sa thua se në Bordin e Paqes së Presidentit Trump nuk është ftuar Shqipëria, po një vend armik i Shqipërisë! Në Bordin e Paqes janë ftuar të gjitha shtetet e OKB GËNJESHTËR.
Shqipëria do të paguajë 1 miliardë EURO GËNJESHTËR Palestinezët do të vijnë në Shqipëri GËNJESHTËR. E vërteta është shumë e thjeshtë se sa ç’pjell, sidomos në çdo rast kur nderohet Shqipëria, mllefi i injorancës dhe inati i ligësisë: Tenxheret politike e mediatike të mexhelisit tonë janë teneqera të zhurshmshme Shqipërisë së vjetër, ndërsa kjo që po vazhdojmë të ndërtojmë me shumë mund e këmbëngulje të madhe është një Shqipëri Tjetër, e dinjitetshme ndërkombëtarisht dhe e respektuar botërisht. Sa për mua personalisht, rëndësi ka vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve, që më kanë ngjitur e mbajtur katër herë në majën e shtetit shqiptar dhe respekti i atyre që janë në majat e botës a të Europës, i cili më duhet mbi të gjitha për të nderuar e lartësuar Shqipërinë. Ky është një moment i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, ku tërbimi i tenxhereve thjesht na siguron se sa më shumë lehin qentë, aq më përpara është duke shkuar karvani”, shkruan kryeministri i vendit
