Teksa disa kohë më parë, kryeministri Edi Rama fliste për një ligj të quajtur “anti-shpifje”, e që në thelb kishte të bënte me penalizimin e medias, mbi ato lajme që konsideroheshin të pavërteta apo shpifje, sot kreu i qeverisë duket se ka ndryshuar mendje.
Në konferencën Kombëtare për të Drejtën e Informimit, Rama deklaroi se qeveria ka marrë angazhimin për dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët, si një hap i mëtejshëm drejt relaksimit të situatës së medias. Ai theksoi se për vite me radhë janë ndaluar paditë ndaj gazetarëve dhe se kjo politikë do të vijojë.
“Nuk dua të hyj në të thella se pastaj na thyhet gota nëse do flas unë për çfarë ka të bëjë me lirinë e shprehjes. Dua të them që ne ndërkohë ne kemi marrë dhe një angazhim tjetër që tregon të kundërtën e asaj që thuhet nga gota gjysmë bosh që ta dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët. Nuk është se ka pasur ndonjë gazetar të goditur penalisht nga paditë e qeverisë në këto vite, as nuk ka pasur padi për gazetarët, sepse i kemi ndaluar të gjitha paditë prej shumë vitesh. Ne do ta bëjmë edhe këtë hap tjetër, një hap që shkon në drejtim të relaksimit të mëtejshëm të situatës së gazetarëve. Edhe unë nuk besoj se është liria e shprehjes, por është liria e shpifjes. Po kjo temë nuk është për këtë tryezë dhe unë nuk dua të thyej gotën tani.”- tha Rama.




