Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së autoriteteve gjermane se Rusia qëndron pas sulmit me dron në aeroportin Leipzig/Halle, duke e cilësuar incidentin si një akt agresioni dhe pjesë të luftës hibride ruse në Evropë.
Në një postim në Facebook, Rama shprehu solidaritetin me Gjermaninë, kancelarin Friedrich Merz dhe popullin gjerman, ndërsa theksoi se përgjigjja ndaj këtyre kërcënimeve duhet të jetë e qartë dhe e fortë. Kreu i qeverisë deklaroi gjithashtu se Shqipëria qëndron në krah të Gjermanisë, Ukrainës dhe të gjithë aleatëve të saj në NATO, duke nënvizuar rëndësinë e unitetit përballë kërcënimeve ndaj sigurisë evropiane.
“Një dron që transporton lëndë shpërthyese drejt Aeroportit Leipzig/Halle nuk lë vend për paqartësi. Është një akt agresioni rus kundër Gjermanisë dhe kundër sigurisë së Europës, siç po e bën tashmë të qartë edhe vetë Qeveria gjermane. Solidaritet i plotë me mikun tim Friedrich Merz, me Qeverinë gjermane dhe me popullin gjerman. Kancelari ka të drejtë që përgjigjet me qartësi dhe vendosmëri. Përballë luftës hibride nuk ka vend për hezitim. Shqipëria qëndron e palëkundur përkrah Gjermanisë, Ukrainës dhe të gjithë aleatëve tanë të NATO-s. Jemi më të fortë kur veprojmë të bashkuar”, shkruan Rama.

Kujtojmë se më herët, kryeministri u bllokua në zyrën e tij, pasi para godinës së kryeministrisë u zhvillua me tensione protesta. Qytetarët bllokuan daljet dhe kërkuan ballafaqimin me Ramën. Ai mundi të largohej vetëm pasi protesta u shpërnda.
