Kryeministri Edi Rama foli nga Baku i Azerbajxhanit për ndryshimet klimatike dhe veprimet që po merren nga liderët botërorë.

Nga foltorja e Samitit Botëror për Klimën, kryeministri Rama tha se vendosi të lërë mënjanë fjalimin e përgatitur dhe të flasë atë se çka ai realisht mendon. Sipas Ramës fjalët e mira për luftën kundër ndryshimeve klimatike, nuk ndryshojnë asgjë.

“Vendosa të lë mënjanë fjalimin tim të mirëpërgatitur, sepse ndërkohë që prej ditës së djeshme, shihja ekranet e heshtura të televizorëve në sallën e pritjes së udhëheqësve ku organizatorët kishin menduar me kujdes të shtonin bimë të gjelbra mbi kolltukët e rehatshëm, njerëzit aty hanë, pinë, takohen dhe bëjnë foto së bashku.

Ndërsa pamje fjalimesh pa zë nga udhëheqësit vazhdojnë të shfaqen vazhdimisht në sfond. Mua kjo më duket saktësisht si ajo që ndodh në botën reale çdo ditë. Jeta vazhdon, me zakonet e saj të vjetra dhe fjalimet tona, plot fjalë të mira për luftën kundër ndryshimeve klimatike, nuk ndryshojnë asgjë”– tha Rama.