Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar sot ministrin e Financave, Petrit Malaj se ka falsifikuar dokumentet teksa mbante postin e drejtorit të AKB-së.

Duke folur në një konferencë për shtyp Berisha tha se të afërmit e Malajt kanë qenë drejtuesit e kompanisë që auditoi censusin e realizuar nga qeveria.

“Ministri i Financave, Petrit Malaj, anëtar efektiv i klanit Gjolekë- Malaj, vjen në detyrën e kësaj ministrie tejet të rëndësishme pasi kompania e tij BDO Albania, në të cilën ky ka qenë administrator, i ati dhe e motra, aksionerë të rëndësishëm. Kësaj kompanie i besohet auditi i censusit të përgjithshëm të falsifikuar nga Edi Rama. Kompania BDO, e vjehrrit, motrës dhe e këtij, se ky ishte administrator, pra certifikoi censusin e falsifikuar në shifra kolosale. Dhe, ditën që ka dorëzuar certifikimin e censusit, klani Malaj, klani Gjolekë Malaj, ky përfaqësues i tyre emërohet ministër i Financave.

Ministri i Financave vjen në atë detyrë pasi kishte detyrë shtetërore, ishte drejtor i AKBN-së. Para tij, drejtor i AKBN-së ishte kunati i tij, i cili shkarkohet dhe ndiqet penalisht për shpërdorime dhe abuzime, por pavarësisht nga ajo, ai punon në një detyrë të rëndësishme dhe sot. Vetë ministri, në deklaratat e tij, ka paraqitur veten si profesionist i lirë, në një kohë kur ai ka qenë me dokumente zyrtare drejtor ekzekutiv i kompanisë BDO. Pra ka kryer mashtrim. Ka qenë drejtor ekzekutiv, siç ka pranuar vetë në CV, i BDO që prej vitit 2014. Në regjistrin e pagave figuron deri në vitin 2021 si profesionist i lirë, me NIPT, jo si drejtor ekzekutiv”- tha Berisha.