Kryeministri Edi Rama foli sot përpara deputetëve të Partisë Socialiste, në përfundim të grupit parlamentar socialist të mbledhur në Elbasan.
Kreu i qeverisë u shpreh i bindur për fitoren e një mandati të tretë, pasi sipas tij shqiptarët sot nuk kanë një alternativë më të mirë.
Megjithatë ai shprehet se ka bindjen që Partia Socialiste mund të bëjë akoma më mirë për Shqipërinë.
“Për të nisur sezonin e fundit të këtij mandati të vështirë e sfidues për ne. Sezonin e sapo kaluar na u desh të përballemi dhe me një tërmet shkatërrues dhe pandemi globale që vazhdon a thua se nuk na mungonin sfidat e punës sonë për ta çuar sa më lart Shqipërinë.
Tërmeti dhe pandemia nuk janë ngjarje dosido, por nga ato ngjarje që tundin tokën e një planeti të tërë dhe jo vetëm të një qeverie.
Sot, nuk jemi mbledhur për këtë. Këtu jemi mbledhur për t’ju ftuar në një reflektim të thellë e të shpejtë, të cilin sot duhet ta nisim për ta kryer në javët e ardhshme bashkarisht, se si do e vazhdojmë përpjekjen tonë në çdo drejtim si skuadër, në rolin që secili ka dhe si ta kurorëzojmë këtë mandat, për të merituar një mandat tjetër, të tretin.
Po e nis nga vetja, atë që në fakt jam mësuar ta bëj, çfarë do të bëj më shumë dhe më mirë për të merituar respektin e atyre që besuan tek ne 3 apo 7 vite më parë. A jeni deputetët më të mirë që mund të kenë? A jam unë kryeministri më i mirë që shqiptarët mund të kenë? Shqiptarët sot nuk e kanë një alternativë më të mirë se sa mua dhe ju. Shumica e tyre nuk e diskutojnë. Por kjo nuk mjafton dhe shqiptarëve nuk u mjafton.
Po PS që sot përfaqësohet nga ne, mund të bëjë më shumë se sa kaq sa kemi bërë? Pa asnjë dyshim po, absolutisht, dhe patjetër përderisa jam këtu dhe kam ndërmend që të kërkoj një mandat tjetër, kam bindjen që mund të bëj më shumë akoma.
Jam i gatshëm t’ua provoj shqiptarëve se kam një dëshirë edhe më të madhe për të bërë më shumë për ta,” tha Rama.