Kryetari i PD, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të vijojë nismën për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, të cilin e konsideron të padenjë për postin.
Berisha akuzoi Begajn si peng të grabitjes së provave në ushtri dhe shtoi se kryeministri Edi Rama është i trembur nga ajo që di Erion Veliaj, gjë që e shtyu të nxitojë zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë.
Sali Berisha: Ne kemi paraqitur kërkesën për impeachment. Zoti Begaj është i padenjë, jo për postin e Presidentit, por me dosjet që i rëndojnë është skllav i akteve të tij kriminale me plaçkitjen e pronave të ushtrisë, me Edi Ramën. I lejoi vetes të firmosë një vendim që kurrë nuk mund ta firmoste. Çfarë po ndodh në këtë mes? Është betejë për jetë a vdekje e Edi Ramës, frikë dhe tmerr nga Erion Veliaj. Pse e ka frikë dhe tmerr? Sepse Erion Veliaj di më shumë se çdo shqiptar tjetër për Edi Ramën.