Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestat dhe episodet e dhunës së ditëve të fundit, duke deklaruar se personat përgjegjës për dëmtimin e pronës publike dhe private do të përballen me ligjin. Në një komunikim të drejtpërdrejtë, Rama theksoi se qeveria do të mbështesë edhe qytetarët dhe bizneset që kanë pësuar dëme nga shkatërrimet.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal te të drejtat e studentëve dhe qytetarëve, duke deklaruar se do të mbrohet e drejta për arsimim, punësim dhe siguri. Ai bëri dallimin mes protestës paqësore dhe akteve të dhunës, duke theksuar se mbajtja e pankartave është një e drejtë demokratike, ndërsa dëmtimi i bizneseve dhe pronës përbën vepër penale.
“Një student që mban një pankartë ushtron një të drejtë demokratike. Një maskë që thyen dhe grabit një biznes, kryen një krim. Dhe ne dimë ta bëjmë dallimin”, u shpreh Rama.
Kryeministri deklaroi se personat që kanë shkaktuar dëme do të mbajnë përgjegjësi ligjore, ndërsa ata që kanë pësuar humbje do të marrin mbështetje edhe përmes kompensimit të dëmeve.
“Thyerja e xhamave nuk është votë. Djegia e ndërtesave nuk është projekt politik. Dhe mbi të gjitha, dhuna as nuk jep mandat, as nuk ka mandat”, deklaroi ai.
Në përfundim, Rama theksoi se qeveria nuk do të lejojë që aktet e dhunës të pengojnë vendin, duke nënvizuar: “Shqipëria nuk do të mbahet peng nga askush”.
Edi Rama: Pagat nuk janë asnjëherë mjaft, por kanë vazhduar të rriten dhe të rriten përsëri e përsëri ndërkohë që borxhi publik është ulur vit pas viti në nivele historike. Sot shërbimet janë në masë dërrmuese me një klik përmes celularit apo kompjuterit më të afërt. Sot Shqipëria është një vend tjetër. Dhe me këto arritje, me këtë bazë mund të vazhdojmë bashkë me ju, ta çojmë Shqipërinë përpara, të ndërtojmë atë Europë këtu që na është mohuar për kaq e kaq shumë dekada e shekuj. Do të mbrojmë të drejtën e çdo studenti shqiptar për t’u arsimuar. Do të mbrojmë të drejtën e çdo shqiptari për të punuar dhe jetuar me punë të ndershme. Do të mbrojmë të drejtën e kujtdo për të ecur i sigurt në rrugët tona.
Pa asnjë diskutim dhe nuk do të lejojmë që politika e falimentuar me maskat e saj të rrugës apo me klounët e saj të mbrëmjes t’i rrëmbejë këto liri përmes dhunës dhe nxitjes së dhunës. Një student që mban një pankartë ushtron një të drejtë demokratike. Një maskë që thyen dhe grabit një biznes, kryen një krim. Dhe ne dimë ta bëjmë dallimin. Shqiptarët dinë ta bëjnë dallimin. Dhe do të veprojmë së bashku në përputhje me këtë dallim.
Ata që shkatërruan pronën e kujtdo, qorazi rrugëve, pronën e secilit dhe pronën e përbashkët do të mbajnë përgjegjësi. Ata që shkaktuan shkatërrimet do të përballen përditë me ligjin, ndërsa ata që i pësuan do të marrin të gjithë mbështetjen tonë jo vetëm me fjalë, jo vetëm me zemër, jo vetëm me dorën e shtrirë, por edhe mbështetjen në formën e shlyerjes së dëmit. Fëmijët tanë nuk kanë asnjë lidhje me dhunën dhe me këto pamje të dhunshme. Thyerja e xhamave nuk është votë. Djegia e ndërtesave nuk është projekt politik. Dhe mbi të gjitha, dhuna as nuk jep mandat, as nuk ka mandat. Shqipëria nuk do të mbahet peng nga askush.
