Protesta qytetare e zhvilluar një ditë më parë në Tiranë ka regjistruar pjesëmarrjen më të madhe që nga nisja e lëvizjes kundërshtuese. Mijëra qytetarë u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku shprehën pakënaqësitë e tyre përmes pankartave, flamujve dhe thirrjeve kundër qeverisë dhe klasës politike.
Gjatë tubimit, protestuesit artikuluan një sërë kërkesash dhe mesazhesh politike. Mes sloganeve më të dëgjuara ishin “Rama jep dorëheqjen”, “Rama ik”, “Mos u përçani! Poshtë patronazhistët”, si dhe thirrje të tjera që synonin jo vetëm qeverinë aktuale, por edhe figurat kryesore të politikës shqiptare.
Organizatorët kanë njoftuar se protesta do të vijojë edhe sot. Tubimi është parashikuar të nisë në orën 18:00 në Sheshin Skënderbej, ndërsa më pas pjesëmarrësit do të marshojnë drejt Kryeministrisë.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të mazhorancës kanë minimizuar protestën në deklaratat e tyre publike, duke e lidhur atë me dezinformimin, interesa politike dhe ndikime të jashtme. Rama ka reaguar gjithashtu ndaj figurave publike që kanë shprehur mbështetje për protestuesit.
Ajo që nisi si kundërshtim ndaj një projekti të debatueshëm në zonën e Zvërnecit duket se po shndërrohet në një lëvizje më të gjerë pakënaqësie qytetare. Kjo u reflektua edhe në mesazhet e protestës, ku u dëgjuan thirrje si “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Poshtë kasta politike”, duke shprehur zhgënjimin e një pjese të protestuesve ndaj gjithë spektrit politik në vend.
