Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar lidhur me protestën qytetare që po zhvillohet në Tiranë kundër projektit në Zvërnec, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salianji publikoi pamje nga tubimi dhe u shpreh se qytetarët po ngrejnë zërin kundër mënyrës së qeverisjes në vend.
“Rama, jep dorëheqjen! Kjo është thirrja që sot dëgjohet në mbarë Shqipërinë. Prepotenca, korrupsioni, abuzimet dhe papërgjegjshmëria në qeverisje kanë rënduar jetën e qytetarëve dhe kanë minuar besimin te shteti”, shkroi ai.
Salianji shtoi se, sipas tij, ka ardhur momenti për një ndryshim të modelit të qeverisjes dhe për hapjen e një kapitulli të ri të bazuar në përgjegjësi, transparencë dhe besim tek e ardhmja.
Reagimi i tij vjen ndërsa në Tiranë po zhvillohet protesta e pestë kundër projektit në Zvërnec, ku qytetarët kanë artikuluar kërkesa për ndalimin e investimit dhe kanë lëshuar thirrje kundër qeverisë.
